Transmetuar më 10-03-2023, 10:41

Mbrojtësi shqiptar i Romës, Marash Kumbulla, i dha skuadrës së tij një dorë të madhe të siguruar një fitore shumë të nevojshme në ndeshjen e parë të 1/8 finale të “Europa League”, ndaj Real Sociedad.

Goli i qendërmbrojtësit tonë kuqezi erdhi vonë, në pjesën e dytë, por ishte i mjaftueshëm për ta ndihmuar Romën të mbante kontrollin e ndeshjes. Pas bilbilit të fundit, Kumbulla përshkroi ndjenjat e tij të festës përballë një “Curva Sud” të mbushur plot në “Stadio Olimpico”.

“Është një ndjenjë e pabesueshme, – tha shqiptari për “Sky Sport”. – Gjithmonë ka qenë qëllimi im të shënoj para ‘Curva’. Unë kisha shënuar nën ‘Curva Nord’, por kjo është krejtësisht ndryshe.

Shpresoj që goli im do të na ndihmojë në ndeshjen e kthimit. Sonte bëmë një paraqitje të mirë. Forca jonë në mbrojtje buron nga i gjithë ekipi. Nuk jemi vetëm ne mbrojtësit apo mesfushorët, por edhe sulmuesit na japin një dorë të madhe, si dhe tifozët.

Është e pamundur të mos japësh gjithçka me këta tifozë që na mbështesin. Gjithmonë kam punuar shumë. Ky jam unë, përpiqem të jap gjithçka me forcat dhe dobësitë e mia. Sonte jam shumë i lumtur".