Transmetuar më 09-03-2023, 22:24

TIRANË- Partia Demokratike e drejtuar aktualisht nga Enkelejd Alibeaj rrezikon të mos regjistrohet në zgjedhje. Kjo për faktin se firmën duhet ta hedhë Lulziom Basha i cili ende figuron si kryetar legjitim i saj.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi është shprehur se Partia Demokratike rrezikon të mos futet në zgjedhjet lokale nëse Lulzim Basha nuk shkon të firmosë. Në një prononcim për "Top Story", Celibashi tha se deklarata e tij duhet bërë që të jetë në përputhje me ligjin dhe parashikimet e Kodit Zgjedhor. Ai shtoi se Basha nuk mund të mjaftohet me një autorizim të përgjithshëm.

“Nuk dimë faktet, me siguri mund të thuhet se kjo deklaratë duhet të paraqitet nga kryetari i partisë politike. Nëse në gjykata rezulton nëj emër dhe një mbiemër i kryetarit të asaj partie, duhet të jetë nga ai nënshkrimi. Në vendimin e sotëm, u tha qartë se ia kthyem PD-së dokumentacionin për plotësim, duke i thënë se deklarata e partisë nuk është në përputhje me ligjin dhe parashikimet e kodit zgjedhor. Nuk mund të jetë një autorizim i përgjithshëm. Nuk mund të pranoj që deklarata, sipas të cilit kryetar i partisë sikurse kodi zgjedhor ka përcaktuar duhet të mbajë përgjegjësi, të anashkalohet. Mungon dhe deklarimi formal për dorëheqjen e Bashës, dhe në vlerësim të këtyre fakteve, nuk ka asnjë mundësi që të injorohet kjo kërkesë e kodit zgjedhor,"- tha Celibashi.