Transmetuar më 09-03-2023, 12:11

Durrës-  Sekuestrohen mijëra euro dhe pound në Portin e Durrësit.

Strukturat hetimore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të portit Durrës dhe Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në DVP Durrës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Shuma”, në kuadër të të cilit u kalua për kontroll të detajuar, në vijën e dytë, kamioni që drejtohej nga D. H., 53 vjeç, banues në Tiranë, i cili udhëtonte nga Italia për në portin e Durrësit. 53-vjeçari u shoqërua në polici.

Gjatë kontrollit të detajuar, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në kabinën e kamionit, 150 000 euro dhe 164 735 paund britanik, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e poseduesit/sve të këtyre shumave të parave në euro dhe në paund.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Policia lokale informon se ky është rasti i 5-të i tentativës për futjen e shumave të mëdha të parave të padeklaruara gjatë muajve të fundit.