Transmetuar më 09-03-2023, 10:50

Tiranë- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur mbledhjen për regjistrimin e subjekteve më të mëdha politike në vend, për zgjedhjet e 14 majit.

Pas shqyrtimit të kërkesave, janë regjistruar Partia Socialiste dhe Partia e Lirisë, ndërkohë që po merret në shqyrtim rasti i Partisë Demokratike.

Në KQZ janë dërguar 2 kërkesa nga dy grupimet e PD, ai i drejtuar nga Sali Berisha dhe ai i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, i cili ka marrë autorizim nga ish-kryetari i PD-së Lulzim Basha.

“Do të shqyrtojmë kërkesat e zotit Sali Berisha si kërkues për regjistrimt ë PD-së dhe të zotit Basha po për regjistrim të PD-së. Përpara KQZ ka dy kërkesa, një nga Berisha që thotë jam kryetar i PD-së dhe një nga Basha që kërkon po këtë gjë. Në këtë shqyrtim do të vendosim se kush e ka edhe këtë tagër për të përfaqësuar PD-në. Nuk jemi duke vendosur absolutisht asgjë. Në vlerësim të kësaj dëgjese do të vendoset se kush ka tagrin për të përfaqësuar këtë forcë politike”, është shprehur Celibashi.

Dje janë regjistruar 42 subjekte politike që do të garojnë në këto zgjedhje.