Transmetuar më 09-03-2023, 10:50

Kylian Mbappé ishte njeriu që të gjithë donin ta dëgjonin pas eliminimit të PSG-së në Mynih nga Bayerni. Dhe, siç ishte logjike, ai u pyet për të ardhmen e tij. "Një tjetër zhgënjim. Deri kur? Nuk e di, deri tani po flas për këtë sezon, është gjëja më e rëndësishme, nuk më intereson asgjë tjetër. Humbëm kundër një ekipi të madh dhe tani kemi Ligue 1, që shpresojmë ta fitojmë”, – tha ai në zonën mikes të stadiumit.

"Nëse e rishikoj të ardhmen time? Jo, jo… Jam i qetë, e vetmja gjë që ka rëndësi për mua këtë sezon është fitimi i Ligue 1 dhe pastaj do të shohim", – këmbënguli ai menjëherë.

Për eliminimin, ai tha: "Jemi të zhgënjyer, por duhet të vazhdojmë përpara, të kalojmë në diçka tjetër. Bavarezët kanë një ekip të ndërtuar për të fituar Ligën e Kampionëve. Ky është maksimumi ynë, kaq. Ne duhet të pyesim veten pse u eliminuam kaq shpejt dhe ta kthejmë vëmendjen në kampionat”.

Mbappe, kapiteni dhe ylli i PSG-së, ishte një nga lojtarët më të kritikuar nga shtypi francez, pas eliminimit në Champions League. "Ai kishte frikë nga bavarezët, gjeti një kundërshtar të fortë si Dayot Upamecano.

Ai përfundoi i mërzitur me shiritin në krah, pavarësisht se është lider i kësaj skuadre”, – ka shkruar “L’Equipe”, e cila e ka vlerësuar sulmuesin me notën 3 nga 10 të mundshme. Të njëjtën notë ka marrë Leo Messi, që gjithsesi ndodhet përpara notës 2 të Verratit.

Emri i Mbappe u shfaq menjëherë në të gjitha portalet e shtypit sportiv evropian, si fytyra e dukshme e humbjes pariziene. Që kur francezi zbarkoi në “Parc des Princes”, PSG është eliminuar në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve në katër raste, një herë në gjysmëfinale dhe një tjetër në finale, gjithashtu kundër Bayern Munich, në edicionin 2020.