Transmetuar më 09-03-2023, 09:55

Trajneri i Bayern Munich, Julian Nagelsmann, u mrekullua shumë pasi skuadra e tij u kualifikua në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, duke dërguar në shtëpi një kundërshtar jo dosido, por PSG-së e mbushur me yje si Messi, Mbappe, Ramos, Donnarumma etj.

Bavarezët fituan 3-0 në total dhe dominuan ndeshjen e kthimit, me Eric Choupo-Moting dhe Serge Gnabry që shënuan në fitoren 2-0 në “Allianz Arena”. “Në fund, në të dyja ndeshjet, ne ishim kryesisht në krye”, – tha Nagelsmann në konferencën e tij për shtyp, pas lojës.

Megjithatë, nuk ishte situatë e qetë për Bayernin, me parizienët afër barazimit në pjesën e pare (kur De Ligt e largoi topin në vijën fatale të portës së tij). Nagelsmann vlerësoi se lojtarët e tij nuk i ndoqën udhëzimet sikurse ua kishte kërkuar dhe lanë shumë hapësira për parizienët: “Në dhomën e zhveshjes, në fund të pjesës së parë nxorëm konkluzionet e nevojshme për t’u kthyer me organizim më të mirë dhe më shumë disiplinë”.

Nagelsmann i krijoi “plagë” PSG-së duke thënë se priste që Lionel Messi dhe Kylian Mbappé të ishin më të rrezikshëm se sa rezultuan, me dy yjet në fjalë të markuar me mjeshtëri nga qendërmbrojtësit e Bayernit:

“Ne ishim në gjendje ta kontrollonim PSG-në me planin tonë të lojës, i cili nuk lejoi Mbappe dhe Messi të zhvillonin mundësitë e tyre. Fakti që Mbappé e kishte kaq të vështirë të dallohej është dëshmi se ne ishim në lartësinë e detyrës”.

Nagelsmann gjithashtu lavdëroi mbrojtësin ndërkombëtar francez Dayot Upamecano për shfaqjen e tij të jashtëzakonshme, të mërkurën mbrëma: “Ai ishte mbresëlënës, edhe pse ka kohë që nuk jam befasuar prej tij. Sonte, ai e fiku Mbappé. Tani për tani është në kulmin e lojës së tij”.