
Ndeshja e kthimit në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve ishte fatale për PSG-në, skuadër e cila nuk qe në gjendje ta përmbyste disavantazhin e sfidës së parë në “Parce des Princes”.
Madje, përkundrazi, e humbi 2-0 edhe ndeshjen e kthimit kundër Bayern Munich, duke i dhënë lamtumirën Ligës së Kampionëve kaq herët. Zhgënjim i madh për klubin parizien, gjithashtu për trajnerin e tyre, Christophe Galtier:
"Është një zhgënjim i madh, por duhet ta përballojmë dhe ta pranojmë. Ka shumë zhgënjim në dhomën e zhveshjes. Nuk e di nëse është një pësim për të nxjerrë mësime, por ka shumë zhgënjim.
Nëse do të kishim shënuar të parët do të kishte qenë ndryshe, por ne nuk e bëmë. Ne luajtëm mirë në pjesën e parë, ndiheshim se mund të arrinim performancën e kundërshtarëve tanë, por i humbëm rastet.
Pësuam një gol budalla. Po, ka pasur presion nga Bayerni, por ndonjëherë nuk duhet të kesh turp të luash gjatë për të kapërcyer presionin".