Transmetuar më 09-03-2023, 08:52

Milani ia doli të ruajë avantazhin minimal të ndeshjes së parë të 1/8 finale të Ligës së Kampionëve, arritur në “San Siro”. Kthimi me Tottenham u mbyll pa gola, ndaj kuqezinjtë kualifikohen në çerekfinale të kompeticionit elitar të klubeve në Europë. Nga ana tjetër ka zhgënjim te “Spurs”. Antonio Conte foli kështu në konferencën për shtyp, në fund të ndeshjes Tottenham-Milan 0-0:

Një koment për këtë disfatë…

Mendoj se të dyja ndeshjet ishin të balancuara, si e para, ashtu edhe e kthimit. Ndoshta duhet të kishim përfituar më shumë në ndeshjen e parë në “San Siro”. Në këto tri javë, Milani e ka rikuperuar portierin dhe kjo është e rëndësishme. Ne, nga ana tjetër, vazhdojmë të ankohemi për mungesa të rëndësishme. Diferencën e bëri rrezikshmëria në fushë. Milani ishte më i rrezikshëm, me lojtarë si Théo, Leao dhe Giroud që të krijojnë probleme të mëdha. Si skuadër krijuam pak në krahasim me atë që duhej për të përmbysur rezultatin. Krahasuar me një vit më parë, kur u eliminuam në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, kemi bërë përparim. Luajtëm kundër një ekipi që fitoi titullin në Serie A. Dallimi mes nesh dhe kuqezinjve është se ata fituan, ndërsa ne nuk kemi fituar për shumë vite. Ky është ndryshimi i madh që ekziston.

Cili është ndryshimi midis eliminimit nga “FA Cup” dhe në Champions League?

Në ‘FA Cup’ luajtëm shumë keq, lojtarët nuk luajtën mirë. Ne humbëm një mundësi të madhe për të ecur përpara. Sonte u përpoqëm të luanim lojën tonë dhe është një ndryshim i madh, për më tepër kundër një ekipi që fitoi kampionatin italian vitin e kaluar. Milani është një ekip i madh, me një histori të madhe. Më vjen keq për tifozët.

Cila është e ardhmja juaj?

Unë kam një kontratë në fuqi, Tottenham i di mendimet e mia. Në fund të sezonit do të takohemi dhe do të marrim një vendim.

Një gjykim për situatën e Tottenham…

Situata është e qartë. Unë kam qenë trajner i Tottenhamit për më shumë se një vit dhe gjithmonë them të njëjtat gjëra. Ne kemi nevojë për durim, për momentin nuk kemi baza të forta për të qenë konkurrues dhe fituar. Klubi e di qëllimin tim. Shkoj shumë mirë, kam një marrëdhënie të mirë me presidentin dhe Paraticin. Të shohim, tani le të mendojmë për përfundimin e sezonit. Kam një kontratë, jam i lumtur, pastaj do të marrim një vendim.