
Seanca ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu është shtyrë për në datën 23 mars, në orën 14:00.
Mësohet se shkak për këtë, është bërë mungesa e tre prokurorëve të SPAK.
Ish-ministri i mbrojtjes, Fatmir Mediu nuk u paraqit ditën e sotme në seancën paraprake që u zhvillua sot në GJKKO. Ai vendosi të përfaqësohej vetëm nga avokati i tij, duke mos qenë prezent vetë në seancë. Të pranishëm në gjyq, ishin edhe familja Durda, e cila humbi djalin në tragjedinë e Gërdecit.
SPAK kërkoi rigjykimin e Mediut, pasi e akuzon si një nga ish zyrtarët përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, me 26 të vrarë dhe qindra të plagosur. Gjykata e Lartë vendosi t’ia dërgojë këtë çështje për kompetencë GJKKO-së, me arsyetimin se me ndryshimet e fundit ligjore në kuadër të reformës në drejtësi, i takon asaj ta shqyrtojë dosjen penale ndaj ish-zyrtarit të lartë.
Apeli i GJKKO vendosi hapjen e çështjes duke marrë të pandehur ish-ministrin. Ndërkohë Mediu ka dorëzuar rekursin në Gjykatën e Lartë ku kundërshton vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm duke pretenduar se vendimi i Apelit është antikushtetues. Sipas avokatëve të tij, ky vendim cënon parimin e gjësë së gjykuar, sa kohë një kërkesë për rigjykim është rrëzuar më herët nga Gjykata e Tiranës dhe Apeli i saj.