Transmetuar më 08-03-2023, 11:59

Antonio Conte është gati të rikthehet në stol, pas operacionit që kreu (hoqi fshikëzën e tëmthit). Trajneri i Tottenhamit do të drejtojë skuadrën e tij në ndeshjen e kthimit të 1/8 finale të Ligës së Kampionëve kundër Milanit. Ai e nis nga disavantazhi 1-0 i ndeshjes së parë:

"Tani jam kthyer dhe jam i lumtur, duam të kualifikohemi më tej dhe do të përpiqemi. Kjo është arsyeja pse shpresoj që të kemi një atmosferë të mrekullueshme në stadiumin tonë. Shumë herë tifozët tanë na kanë dhënë shtytjen e duhur për të kapërcyer vështirësitë. Do të luajmë kundër një skuadre të shkëlqyer si Milani, që është kampioni i Italisë në fuqi”.

Për trajnerin Conte është një sfidë vendimtare: "Ne jetojmë me presionin për këtë lloj ndeshjeje. Kur presioni rritet, rritet edhe niveli juaj. Këtë vit në Champions League fituam grupin tonë dhe me Milanin humbëm 1-0 në ndeshjen e parë. Mendoj se e kemi mundësinë ta përmbysim Milanin dhe ta kalojmë raundin. Për ne është një sfidë shumë e rëndësishme".

Conte është kthyer nga një operacion urgjent për heqjen e fshikëzës së tëmthit: "Dje ishte një ditë e mirë, u ndjeva pozitiv. Është e rëndësishme për mua të jem në gjendje të punoj me lojtarët dhe stafin, të përgatitem për ndeshjet në mënyrën më të mirë të mundshme.

U përpoqa t’u qëndroj pranë edhe nga larg, duke përdorur video-thirrje, por të jesh afër është krejtësisht ndryshe dhe për këtë duhet të falënderoj stafin tim për gjithçka që ka bërë. Ata kanë bërë një punë të shkëlqyer. Që lojtarët të kalojnë tri javë pa trajnerin e tyre nuk është e lehtë. Tani jam kthyer dhe ndihem shumë i lumtur".