Transmetuar më 08-03-2023, 11:32

Milani i Piolit pritet të luajë ndeshjen më të rëndësishme të sezonit ndaj Tottenham. Pas fitores 1-0 në "San Siro", kthimi i 1/8 finale të Ligës së Kampionëve do të vendosë të kualifikuarin në tetëshen më të mirë të Europës. Kuqezinjtë do ta sfidojnë sonte ekipin e Contes në Londër, me disa dhimbje koke prej dëmtimeve.

Trajneri Pioli nënvizoi: “Këto ndeshje vlejnë një sezon të tërë. Nuk do të kem nevojë t’i motivoj lojtarët, sepse e dinë rëndësinë e ndeshjes. Kjo do të na lejonte të rriteshim shumë në Evropë në krahasim me sezonin e kaluar".

Versioni londinez i Milanit do të duhet të jetë krejtësisht i ndryshëm nga ai i parë kundër Fiorentinës në kampionat: "Nuk kam dyshime se skuadra do të jetë gati për vendosmëri, përqendrim dhe vëmendje. Ne e kemi përgatitur ndeshjen, i njohim kundërshtarët tanë dhe nga pikëpamja taktike jemi sprovuar”.

Tottenhami ka dhënë kushtrimin për përmbysjen në shtëpi: "Spurs janë të ndryshëm nga skuadrat klasike angleze. Ata kanë qëndrime dhe numra të ndryshëm midis performancës në shtëpi dhe jashtë. Sigurisht pres që ata të jenë më agresivë dhe më intensivë. Ne e dimë dhe i njohim ata, do të ndihmohen nga publiku i tyre.

Do të duhet të kemi një qasje intensive dhe të fortë ndaj ndeshjes, duke luajtur top për top. Strategjinë e kemi përgatitur, por episodet bëjnë diferencën dhe ne do të duhet të bëjmë diçka më shumë. Uroj që episodet t’i kthejmë në favorin tonë”.

Pioli nuk tha shumë për llojin e ndeshjes që pret: “Me siguri do të jetë një ndeshje e ekuilibruar, siç ishte në ‘San Siro’, edhe pse e meritonim të fitonim sepse luajtëm pak më mirë se Tottenhami. Do të duhet të bëjmë të njëjtën gjë edhe në Londër. Ne kemi një avantazh të vogël që nuk mund ta menaxhojmë, ndaj do të duhet të luajmë me vendosmëri dhe cilësi”.

Mundësia për t’u rikthyer në tetëshen më të mirë të Evropës është joshëse: "Po flasim për Milanin, një skuadër e mësuar në disa faza dhe disa objektiva të rëndësishëm. Natyrisht, qëllimi me kalimin e kohës është të rikthehemi në protagonistë në Evropë. Ne kemi një mundësi të vështirë kundër Tottenhamit”.