Transmetuar më 08-03-2023, 09:55

Trajneri i PSG-së, Christophe Galtier, foli për mediat në sallën e shtypit të "Allianz Arena" në prag të ndeshjes së rëndësishme që do t’i përballë të tijtë me Bayern Munich. Trajneri 56-vjeçar e nisi konferencën për shtyp duke folur për planin e mundshëm ‘anti-Mbappé’ të Bayernit:

“Kur ke sulmuesin më të mirë në botë, automatikisht kundërshtari, edhe nëse nuk duhet të mendojë vetëm me këtë, është shumë i vëmendshëm ndaj gjithçkaje që bën në fushë. Të gjithë trajnerët, kur kanë lojtarë të këtij niveli, nuk janë të detyruar të ndryshojnë skemat, por të përshtaten në mbrojtje. A do ta ndryshojë kjo planin tonë të lojës? Aspak”.

Trajneri i PSG foli edhe për mungesën e Neymar, i cili do të jetë jashtë deri në fund të sezonit, duke shtuar se nuk pajtohet me ata që konsiderojnë se mungesa e tij është më e mirë për PSG-në: “E kam lexuar debatin rreth Neymar. I pari i pafat është ai, sepse ka shënuar 17 gola dhe dhënë 11 asiste këtë sezon.

Kur lexova se është shumë më mirë të mos luajë ai, thashë jo. Ai është lënduar rëndë, ka qenë gjithmonë profesionist që kur unë kam qenë në klub. Neymar pati një periudhë të vështirë pas Botërorit. A është skuadra më e balancuar pa të? Kemi një mesfushor më shumë, por a është më mirë kështu? Të kesh Neymar në ekip është një aset më shumë për të shënuar gola”.

Për qëndrimin që PSG duhet të mbajë në këtë lloj skenari, Galtier ishte i qartë: “Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Jemi në një garë shumë të vështirë. Do të ketë një fitues dhe një humbës. Kështu janë gjërat.

Ne luajmë çdo ndeshje me ambicie për të fituar. Liga e Kampionëve është gjithmonë një objektiv shumë i lartë, PSG duhet të sillet shumë më agresivisht. Nëse luajmë kështu, do të kemi shanse për t’u kualifikuar”.

Trajneri i PSG-së, nga ana tjetër, shtoi se sistemi i lojës së Bayernit ka gjithashtu dobësi: “Çdo sistem ka të meta dhe pika të forta. Në ndeshjet e fundit kemi pësuar gola. Duhet ta korrigjojmë këtë aspekt dhe po punojmë me skuadrën.

Ne flasim shumë për të. Mëngjesin e së martës kalova shumë kohë me disa nga lojtarët e mi. Ka të meta tek ne, por edhe tek kundërshtari ynë. Ne do të duhet të jemi shumë vigjilentë, shumë të guximshëm kur vjen puna për të sulmuar”.

Donnarumma ka ngritur dyshime në ndeshjet e fundit me gafat e tij, por Galtier e konsideron atë një portier që ofron siguri: “Donnarumma është një portier i besueshëm dhe i nivelit të lartë. Goli i parë i pësuar ndaj Nantes mund të ndodhë. Është më shumë çështje eksperience. Ai tashmë ka treguar se mund të jetë vendimtar në momentet e rëndësishme. Mendoj se është portier i nivelit të lartë”.