Transmetuar më 08-03-2023, 09:17

Kiara Tito ka marrë mbrëmë gjatë spektaklit të “Big Brother VIP2” disa informacione nga jashtë. Si lidere e shtëpisë ajo kishte një avantazh dhe Vëllai i Madh i dha të drejtën që të merrte vesh se çfarë shkruhej në media për të.

Në një klip iu treguan disa informacione të ndryshme, por që moderatorja u ndje më keq për reagimin e Efi Dhedhes në lidhje me situatën e saj me Luiz Ejllin gjatë një loje.

Kiara dëgjoi Efin t’i kundërvihej asaj për reagimin e “dhunës” së ushtruar nga partneri i saj. Moderatorja u shpreh se nuk priste të lexonte kaq shumë negativitet e sidomos nga Efi, fjalët e së cilës e prekën më shumë.

“Më erdhi si rrufe! Nuk prisja kaq shumë negativitet nga njerëz që kanë qenë këtu. Jam prekur shumë nga Efi, ishte gjëja që më goditi shumë, nuk e di nëse mund të quhet avantazh. Si njeri i medias e di sesi përflitet e transformohen gjërat. Video e Efit më bëri përshtypje”, tha Kiara e cila u duk se nuk e priti mirë atë që pa në video.

Nga ana tjetër, Efi mori fjalën për t’i treguar Kiarës se çdo gjë ka dalë jashtë kontekstit.

“Unë nuk isha fare kundër Kiarës, nuk më pëlqen fare që po del në këtë lloj këndvështrimi. Ishte thjesht një moment, unë jam njësoj me Kiarën. Në pikën e lojës është interpretuar shumë keq. Jam duke plasur në mënyrën sesi e pe, mënyra sesi u interpretua nuk më pëlqen fare”, tha ish-banorja e shtëpisë më të famshme në Shqipëri.