Transmetuar më 07-03-2023, 22:42

BRITANI E MADHE- Kryeministri i Britanisë së Madhe Rishi Sunak ka dalë në një konferencë për shtyp ku ka dhënë detaje lidhur me projektligjin e ri që po hartohet në mënyrë që të zerohen gomonet që dërgojnë emigrant të paligjshëm nga Franca drejt Anglisë.

Para mediave, ai doli me një slogan të stampuar në foltore në të cilin shkruhej ‘stop gomoneve’, gjë që tregonte se ky do të jetë një fokus kryesor për qeverinë ndërsa po shkohet drejt zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme.

“Politika është e thjeshtë. Qeveria juaj që duhet të vendosë se kush do të vijë këtu dhe jo bandat kriminale. Numri i njerëzve që hyjnë ilegalisht në MB me varka të vogla është katërfishuar në dy vitet e fundit. Bandat kriminale që sjellin varka të vogla në brigjet e Mbretërisë së Bashkuar e dinë se sistemi aktual mund të shfrytëzohet dhe se emigrantët mund të ngrenë shumë pretendime në mënyrë që të shangin largimin e tyre nga vendi. Njerëzit që mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht do të largohen brenda javësh dhe do të marrin një ndalim të përjetshëm për të kërkuar azil. Legjislacioni është i ashpër, por i domosdoshëm dhe i drejtë. Situata aktuale nuk është në rregull moralisht dhe as e qëndrueshme, ndaj nuk mund të vazhdojë. Është e padrejtë për britanikët që kanë hapur shtëpitë e tyre për refugjatët e vërtetë, tani duhet të shpenzojnë gati 6 milionë paund për emigrantët e paligjshëm që jetojnë në hotele. Është shkatërruese dhe e padrejtë për njerëzit që kanë vërtetë nevojë për ndihmën tone. Ata përballen me një sistem të mbingarkuar nga ata që udhëtojnë ilegalisht nëpër Kanal,”- tha Sunak.

Prej ditësh bëhet thirrje nga Qeveria e Britanisë së Madhe e cila ka paralajmëruar grupet e trafikantëve që kalojnë emigrant të paligjshëm përmes kanalit të La Manshit. Kryeministri i Britanisë, Rishi Sunak dhe Suella Braverman kanë paralajmëruar se do të fusin në fuqi projektligjin e ri që synon të lërë jashtë shqyrtimit të gjitha format e kërkesave për azil që janë bërë nga ata emigrantë që futen në vend përmes gomoneve.

Rishi Sunak dhe Braverman do të udhëtojnë për në Paris të premten për të folur rreth krizës së emigrantëve. Gjatë muajve të fundit, ai ka qenë në bisedime intensive me Sektorin e Brendshëm dhe një rreth të vogël, të besuar të brendshëm të ministrave dhe këshilltarëve për të përpiluar një plan. Në vitin 2022, më shumë se 45,000 njerëz mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar me anije të vogla krahasuar me 28,000 një vit më parë. Mes tyre janë raportuar se kanë qenë 10 mijë shqiptarë.

Emigrantët shqiptarë kanë qenë kryefjala e mediave britanike muajt e fundit dhe sekretarja e Brendshme Suella Braverman është treguar mjaft e ashpër me ta. Referuar numrit të burrave shqiptarë që kanë ‘zbarkuar’ në brigjet britanike, rreth 10 mijë, Sekretarja e Brendshme britanike është shprehur se vendi po pushtohet prej tyre. Këto fjalë nxitën një retorike të ashpër dhe përgjigjia e kryeministrit Edi Rama nuk mungoi.

Gjuha e Braverman është krahasuar me atë të nazistëve. Një e mbijetuar e Holokaustit rrëfeu për Sky News se gjuha e përdorur nga Sekretarja e Brendshme Suella Braverman për të përshkruar emigrantët është shumë e ngjashme me atë që u përdor në Gjermaninë naziste kundër popullit hebre. Joan Salter, 83 vjeçe, tha se kur dëgjonte termat ‘tufë’ dhe ‘pushtim’, i kujtohej gjuha e përdorur për të justifikuar vrasjen e familjes së saj dhe miliona të tjerëve.