Transmetuar më 07-03-2023, 15:01

Një gjykatë në Greqi dënoi me pesë vjet burgim, këngëtarin shqiptar Arian Begaj, nën akuzën e trafikut të drogës.

Sipas gjykatës, dënimi jepet me fuqi suspenduese ankimimi, duke vendosur kushtin kufizues të paraqitjes së tij pranë policisë lokale.

Begaj është një nga këngëtarët me ndikim në rrjetet sociale.

Veçanërisht i dashur në vendlindje, Arian Begaj i ka kushtuar shumë këngë të tij bashkatdhetarëve emigrantë që ndodhen në çdo cep të botës.

Ai kishte zgjedhur të kalonte pjesën më të madhe të jetës në Greqi, ku së bashku me të pandehurin tjetër, grek, u përfshinë në një rast trafiku droge, si rezultat i të cilit u arrestuan nga persona të Prokurorisë së Narkotikëve dhe u dënuan me 5 vite burg.

Operacioni për arrestimin e dy personave u zhvillua në mesin e muajit maj të vitit të kaluar, në dy shtëpi në Athinë. Në banesën e grekut u gjetën 1 015 gramë kanabis dhe një pistoletë, kurse në shtëpinë e këngëtarit shqiptar 50 gramë kokainë.

Arian Begaj tha se është përdorues kokaine dhe kanabisi dhe se sasinë prej 50 gramësh që i është sekuestruar në shtëpinë e partneres, e kishte blerë 3-4 ditë më parë nga një rom, i cili quhet Niko, nga Menidi, për shumën 2 300 euro.

“Këto para vijnë nga puna ime. Mora një sasi të madhe sepse e gjeta me një çmim të mirë. Zakonisht blej 5-10 gram në të njëjtën kohë. Konsumoj më pak se një gram në ditë për shkak të punës sime. Jam këngëtar dhe ndërtues”, shtoi Arian Begaj.