Transmetuar më 07-03-2023, 14:46

Dihet se Dolores Aveiro nuk ka probleme financiare. Ndoshta kjo është arsyeja që në kohë krize si kjo që po kalojmë, intensifikohen kërkesat për ndihmë nga nëna e Cristiano Ronaldos.

Komentatori i CMTV, Léo Caeiro, zbuloi se matriarku i familjes “Aveiro” merr shumë kërkesa për ndihmë monetare, diçka që ndonjëherë mund të jetë e pakëndshme. “Po, njerëzit që trokasin në derën e Dolores në Madeira janë të shumtë.

Personat në hall shkojnë atje dhe e shqetësojnë duke i kërkuar para. Kjo ndodh shumë herë”, – ka treguar Leo Caeiro, i cili ka saktësuar se edhe atij i janë kërkuar para në momente kur ka qenë me nënën e CR7.

“Dje isha me Dona Dolores, e postova foton me të në rrjetet sociale dhe mora qindra mesazhe nga njerëz që më kërkonin para. Njerëzit mendojnë se është detyrimi i atyre që kanë shumë para për t’i ndihmuar. Kam marrë shumë e shumë mesazhe për të kontaktuar edhe me familjen Aveiro për ndihmë”.

E gjitha kjo u komentua në kohën kur Cristiano Ronaldo dërgoi një avion me ndihma humanitare në Siri dhe Turqi pas tërmetit, qëndrim ky që u trajtua në programin CMTV.