Transmetuar më 07-03-2023, 14:33

Bruksel- Perëndimi po bën përpjekje të mëdha diplomatike për një zgjidhje të pranushme mes Serbisë dhe Kosovës.

Edhe nëse Beogradi e shmang tani pranimin e Kosovës në OKB, që interpretohet si njohje joformale e Kosovës, pas disa vitesh pritet që ai ta bëjë këtë zyrtarisht.

Ky është thelbi i tekstit të një dokumenti që vjen nga zyrat e diplomatëve evropianë të cilët po punojnë për zbatimin e Marrëveshjes Evropiane.

Nga sa nënvizohet aty, njohja reciproke e Serbisë dhe Kosovës do të ndodhë me hyrjen e tyre në Bashkimin Evropian.”

Tani për tani, bashkëjetesa përmes bashkëpunimit dhe marrëdhënieve paqësore, pavarësisht dallimeve, është e vetmja gjë që bashkësia ndërkombëtare kërkon nga Serbia dhe Kosova”, është mesazhi i përcjellë aty.

Aneksi për zbatimin e Propozimit evropian për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi po diskutohet intensivisht përpara 18 marsit, kur mbahet takimi i radhës ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Lidhur me Planin evropian dhe qëndrimin e opozitës në Kosovë ndaj tij, kanë reaguar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare “nuk përputhen me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për propozimin”, tha një zëdhënëse e ambasadës së ShBA-së në Prishtinë, e cila nënvizoi se Washingtoni është shqetësuar nga qëndrimi i dy partive opozitare kundër propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd