Transmetuar më 07-03-2023, 11:49

Nuk ka paqe për Sionin dhe Mario Balotellin. Klubi zviceran po kalon një nga krizat më të rënda të sezonit dhe "Supermario" është rikthyer në qendër të protestës së ashpër të tifozëve, që nuk kursejnë asgjë dhe askënd. Në pikëpyetje presidenti Christian Constantin, ndërsa italiani nuk ka bërë asgjë deri më tani për të fituar vlerësimin e popullit ‘valais’.

FC Sion po përjeton një moment në kufi me paradoksalen. Presidenti vendosi të shkarkojë trajnerin Fabio Celestini javën e kaluar, pas disfatës kundër Luganos, i cili e mori drejtimin nga Paolo Tramezzani në nëntor.

Jo vetëm kaq; presidenti "akrobat’ me një deklaratë zyrtare për shtyp nuk gjeti asnjë zëvendësues, por u ul vetë në stol për ndeshjen e radhës, atë në shtëpi, sërish kundër Luganos. Rezultati? Një barazim pa ngjyrë në fushë dhe një protestë e ashpër nga tifozët që sulmuan presidentin dhe lojtarët.

Mes tyre, vëmendje të veçantë mori Mario Balotelli, i cili përfaqëson në mënyrë perfekte zhgënjimin e tifozëve, të cilët prisnin që ai të luante bukur dhe të bënte diferencën. Në vend të kësaj, sezoni i sulmuesit italian është më shumë se zhgënjyes, me pak ngritje dhe shumë ulje: 13 paraqitje dhe vetëm 5 gola.

Shumë pak për t’i bërë tifozët të ëndërrojnë, por mjaftueshëm për t’i tërbuar. Dhe kështu, pas ankesave të ashpra ndaj "Supermario", që kishin rezultuar në aktin më të keq, me fanellën e tij të djegur, në tribunat e "De Tourbillon", me rastin e Sion-Lugani u shfaq një pankartë që nuk lë vend për interpretim: “Balotelli ka ardhur këtu të bëjë çfarë të dojë. Një dhuratë e helmuar”.

Momenti negativ i Balotellit kulmoi më pas me mospërfilljen e fundit nga presidenti Constantin, i cili e zëvendësoi atë në pjesën e parë, i pakënaqur me performancën e tij. Ky zëvendësim nxit më tej thashethemet se aventura zvicerane e tij tashmë ka përfunduar.