Transmetuar më 07-03-2023, 11:17

Pak minuta pasi u konfirmua se Neymar i thotë lamtumirë sezonit për shkak të dëmtimit të kyçit të këmbës, ka folur Messi. Ai e bëri këtë në javën më të rëndësishme, në të cilën vendoset përfundimisht nëse PSG do të jetë ende "gjallë" apo jo në Champions League.

Argjentinasi, gjithnjë e më vendimtar në skuadër së bashku me Mbappe, i ka gjërat të qarta. Pavarësisht vështirësisë, ata janë në gjendje të përmbysin situatën në fushën e Bayernit.

Liga e Kampionëve – “Është e rëndësishme të mbërrijmë pas tri fitoreve që na kanë dhënë besim dhe na kanë lejuar të punojmë me një mendje tjetër. Ne do të shkojmë në Mynih për të fituar. E dimë vështirësinë e sfidës, por jemi të trajnuar.

Do të jetë si ndeshja e parë, e cila u vendos nga detaje të vogla. Skuadra ka dhënë një tjetër imazh në javët e fundit dhe ka shpresën për t’u rikthyer e për të vazhduar rrugën në Champions League”.

Përshtatja e tij me PSG – “Ishte shumë e vështirë për mua të përshtatesha në vitin tim të parë për arsye të ndryshme, por që nga fillimi i këtij sezoni kam luajtur me shumë entuziazëm dhe dëshirë. Tani ndihem më rehat me klubin, qytetin dhe çfarë do të thotë Parisi".

Fitimi i Kupës së Botës – “Ishte mbresëlënëse për ta përjetuar atë dhe e vështirë për t’u shpjeguar. Ëndrra e një jete u realizua. Ndarja e lumturisë me popullin e Argjentinës dhe mënyra e festimit ishte çmenduri. Nuk e prisnim. Është një moment që do të mbetet për gjithë jetën”.

Marrëdhënia e tij me Mbappe – “Ishte një finale për sulm në zemër. Kylian bëri një lojë fantastike, duke shënuar tre gola, edhe pse nuk doli kampion. Ai tashmë e ka fituar Botërorin, e di se çfarë do të thotë. Ajo ndeshje kundër Francës ishte e bukur për botën. Tani është mirë të ndaj një ekip me Mbappé. Shpresojmë se mund të bëjmë gjëra të mëdha te PSG”.

Çmimi "The Best FIFA" – “E gjithë jeta ime ka qenë përkushtim dhe përpjekje, duke dashur më shumë çdo ditë. Iluzioni për të arritur qëllimet e mëdha me PSG është maksimal”.