Transmetuar më 07-03-2023, 11:01

Tiranë- Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ka folur pas shtyrjes së seancës në Apel, për çështjen “Babale”.

Salianji deklaroi se ka kërkuar përjashtimin e relatores Petri nga kjo çështje duke theksuar se bashkëshorti i saj ka miqësi të ngushtë me Fatmir Xhafaj.

Ai u shpreh se gjyqtarja nuk duhet ta kishte marrë përsipër çështjen duke theksuar se betejën e tij do vazhdojë deri në fund.

“Për të mbrojtur shefin e tyre të asaj kohe Fatmir Xhafaj. Zëri është i ngjashëm me zërin që është denoncuar. Duhet të shkonte para përgjegjësisë penale Albert Nushi dhe më pas zv drejtori i policisë së Elbasanit. Është përfshirë në këtë çështje duke dhënë para për të sajuar dëshmitarë të rremë. Këto janë elementët për të kuptuar që unë jam si shumë shpesh para dyerve të gjykatës vetëm për shkak të denoncimeve që kam bërë ndaj qeverisë.

Në vend të shkojnë para drejtësisë ata që abuzojnë, shkojmë ne që denoncojmë. Është shtyrë nga gjykata, jo për mungesë tonën. Ka munguar vetëm njëherë avokati im dhe disa herë avokati i palës kundërshtare. Gjyqtarja relatore ka shprehur anshmërinë politike duke hyrë në debat me mediat në rastin kur ka qenë gjyqi i vulës. Së treti dihet botërisht miqësia familjare e bashkëshortit të zonjës Petri, zotit Sokol Sadushi me Fatmir Xhafën. Gazetari ka bërë disa shkrime që kanë të bëjmë me gjyqtaren që është relatore në këtë çështje. Ne kërkuam përjashtimin e gjyqtares e cila nuk duhet ta kishte marrë fare çështjen. Unë nëse do isha avokat do merresha me sistemin gjyqësor. Jam i votuar nga qytetarët për të mbrojtur interesin publik.

Po bëj transparencë me publikun për të kuptuar a ka elemente pavarësie sistemi gjyqësor në Shqipëri. Unë këtë detyrë kam dhe pjesën tjetër nuk kam ndonjë shqetësim nëse qëndron apo jo gjyqtarja. Të gjithë elementët e dosjes do i ribëj publike në momente të caktuar. Kam zgjedhur të luftoj për interesat e publikut ashtu si kam denoncuar të gjithë bandat në Shqipëri. Do votoj betejën time për të mbrojtur ata që më kanë votuar dhe interesin publik. Ajo që bën gjykata është puna e gjykatës. Unë këtu do jem për një kohë të gjatë”, deklaroi Salianji.