Transmetuar më 07-03-2023, 09:36

Kukës- Kërcënoi vjehrrën, arrestohet i riu.

Një 36-vjeçar me inicialet H.M banues në Pobreg të Kukësit është arrestuar pasi përmes telefonit ka kanosur vjehrrën e tij me jetë.

Gjatë kontrollit në banesë atij i është gjetur një pushkë të cilën e mbante pa leje.

Policia vendore informon se ‘specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës, menjëherë pas kallëzimit të marrë nga një shtetase se po kanosej për jetën, përmes telefonit, kanë organizuar punën me qëllim kryerjen e të gjitha veprimeve procedurale për verifikimin e plotë të këtij kallëzimi.

Për këtë rast, Policia e Kukësit arrestoi në flagrancë H. M., 36 vjeç, banues në fshatin Pobreg, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kanosja”.

Nga hetimet paraprake të kryera, rezultoi se 36-vjeçari kishte kanosur për jetën, përmes telefonit, vjehrrën e tij.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit H. M., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pushkë që mbahej pa leje nga ky shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme’.