Transmetuar më 06-03-2023, 21:45

Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha, është gati të futet në zgjedhje me pjesën tjetër demokrate që kontrollohet nga Lulzim Basha, por ka një kusht që përmban dy emra.

Pohimin e bëri sonte në rtsh, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka.

Megjithëse grupimet kanë dorëzuar sot 2 kërkesa të ndryshme për rregjistrim, Flamur Noka, nuk e sheh të pamundur opsionin e përdorimit të vulës aktuale.

Por që kjo të ndodhë, duhet që më parë të plotësohen kushtet që lidhen me Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn.

“Nuk ka refuzim për bashkëpunim me grupimin tjetër. Basha dhe Alibeaj i shërbejnë Edi Ramës dhe rrënimit të opozitës.

Ata janë në shërbim të likuidimit të PD, nuk duhet të jenë pjesë e këtij procesi. Kushdo tjetër nga kolegët tanë deputetë është i mirëpritur.”- tha zoti Noka, duke iu përgjigjur pyetjes se pse kanë refuzuar daljen me kandidatë të përbashkët dhe përdorimin e vulës së PD në zgjedhje.

Për PD e drejtuar nga Berisha, regjistrimi në zgjedhje i siglës së PD me autorizimin e Lulzim Bashës, është tregues i qartë i mbajtjes peng të PD-së për llogari të Edi Ramës.

“Është e paprecedentë, kur një kryetar partie jep dorëheqjen dhe autorizon partinë për t’u rregjistruar në zgjedhje. Ky është veprim prej pengu”,- tha Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka

Ai e kisjte një përgjigje edhe se pse nuk gjendet gjuha e bashkëpunimit as me këta deputetë që kanë mendim ndryshe në PD për të përdorur vulën e PD në zgjedhje.

“Përsa kohë kolegët e tjerë rrinë nën çadrën e Bravës (Basha) dhe Alibashës (Alibeaj), e them me keqardhje, por ata vazhdojnë të jenë në shërbim të pengjeve. Kjo gjë duhet ndarë. Pastaj mendim ndryshe, mendim kundër, PD është e hapur.”- tha Noka.