Transmetuar më 06-03-2023, 20:37

Ministrat e Mbrojtjes të Evropës po diskutojnë planet për të përshpejtuar furnizimin me municion 155 mm në Ukrainë, pasi vendi i pushtuar po kërkon më shumë predha artilerie për të luftuar rusët.

Hanno Pevkur, ministri estonez i Mbrojtjes, i cili ka udhëhequr këtë plan për të porositur miliona predha, tha se ai besonte se ministrat do të arrinin një “konsensus politik” për të ndjekur prokurimin e përbashkët, kur të takohen në Stokholm të mërkurën.

Por ai vuri në dukje se çështjet kryesore ishin ende për debat, të tilla si mënyra e pagesës për blerjet e përbashkëta.

Pevkur këmbënguli se anëtarët e BE-së nuk mund të mbështeten në fondet e akorduara tashmë për ndihmën ushtarake për Ukrainën duke nënkuptuar se duhen dhënë para të tjera.

“Ne kemi nevojë për një konsensus të qartë se duhet të ketë fonde të reja për këtë iniciativë,” tha ai për Reuters.

Të dyja palët në Ukrainë po hedhin mijëra predha artilerie çdo ditë, por Rusia mund të përdorë mijëra të tjera për shkak të furnizimeve më të mëdha.