Momentet makthi ka përjetuar djaloshi që gjendej edhe ai në trenin e tragjedisë greke në Tempi.
Vasili 27 vjeçar rrëfeu për mediat greke sot, ato që përjetoi gjatë përplasjes vdekjeprurëse të trenit në Tempe teksa ndodhej me të dashurën e tij Klaudia Lato.
20 vjeçarja ishte një ndër gjashtë shqiptarët që humbën jetën në aksidentin fatal.
Vasili, i riu që shihni në foto ishte pasagjer në trenin e udhëtimit fatal dhe ka shpëtuar pasi pak para përplasjes kishte dalë nga mensa për të kërkuar vende në një vagon tjetër.
Ai tregoi se i tha të largohej për pak minuta që të gjente vende në një vagon dhe mënyra si ajo e nxiti të ikte iu duk e çuditshme.
“I thashë se do të kërkoj për vende në vagon. Ajo më shikoi me një vështrim të ngrirë dhe më tha “shko tani”.
U habita nga mënyra e saj e të folurit dhe pa u menduar u ngrita. E pashë të më buzëqeshte, i buzëqesha dhe bëra 15 hapa".
Pa e ditur ai, në fakt ajo e shpëtoi pasi Vasili nuk ndodhej në atë moment në vagonin restorant kur ndodhi përplasja, ndërsa ai teksa ishte në korridor humbi vetëdijen për rreth dhjetë minuta.
Rrëfimi i Vasilit vijon: "Menjëherë më pas ndjeva një zhurmë, u gjenda i hedhur disa metra mbrapa në shpinë dhe humba fillin”, përshkruan partneri i Klaudias fatkeqe në median greke, citon noa.al.
“As nuk e kuptova se çfarë kishte ndodhur, thjesht ndjeva një masë hekurash që më vinin dhe më godisnin.
Fatmirësisht nuk u lëndova. U përmenda nga tymi që po ndjeja mes flakëve. Edhe tani kam probleme me frymëmarrjen. Filluan të më ngeceshin këmbët nëpër hekura. Në një moment mbylla sytë dhe thashë se do të digjem i gjallë.
Në të njëjtën kohë po mendoja për Klaudian. Nuk e kuptova se çfarë kishte ndodhur sepse gjithçka ishte e errët. Isha thjesht i tronditur, i shokuar. Disa njerëz bërtisnin se kishte rënë zjarr”, trondit partneri i Klaudias me rrëfimin e tij.
Prindërit i kishin thënë të ndalej tek ta, por…
Gjatë tre ditëve festive, Klaudia kishte shkuar në karnavalet e Patras. Pas kthimit në vendin e studimit, prindërit i thanë të bënte një ndalesë në Larisa për ta parë, por ajo donte të kthehej sa më shpejt pasi kishte një mësim për të mbaruar ndaj nuk u ndal në Larisa por vendosi të vazhdojë udhëtimin për në Selanik. Një udhëtim që u ndërpre në mes, tragjikisht. /noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd