Transmetuar më 06-03-2023, 12:26

Foto ilustruese

Durrës- Merret peng një kambist në Durrës.

S.H, 58-vjeç banues në Durrës, i cili ushtronte në rrugë, në mënyrë të kundërligjshme, aktivitetin e këmbimit valutor, ka kallëzuar se dy persona e kanë marrë peng në një makinë dhe e kanë kërcënuar me thikë duke i vjedhur një shumë parash e më pas janë larguar.

Policia ndaloi të dyshuarin Vladimir Rusi, 61-vjeç dhe ka shpallur në kërkim një tjetër.

Policia vendore informon se ‘specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës kanë marrë kallëzim nga S. H., 58 vjeç, banues në Durrës, i cili ushtronte në rrugë, në mënyrë të kundërligjshme, aktivitetin e këmbimit valutor, se 2 shtetas të paidentifikuar e kishin marrë në një automjet dhe duke e kanosur me mjet prerës (thikë), i kishin vjedhur një shumë parash, dhe më pas ishin larguar.

Menjëherë pas këtij kallëzimi, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë organizuar punën, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Dinamika”, falë veprimeve të shpejta profesionale, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i njërit prej autorëve të dyshuar të këtij rasti, Vladimir Rusi 63 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.

Vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar kryesor të këtij krimi, njëkohësisht bashkëpunëtor i shtetasit të arrestuar V. R.

Nga hetimet paraprake të kryera për këtë rast, rezulton se 63-vjeçari, së bashku me një shtetas tjetër ende të paidentifikuar, kanë marrë shtetasin S. H., në automjetin që drejtohej nga shtetasi V. R., dhe duke e kanosur atë, me mjet prerës (thikë), i kanë marrë shumën 1 000 000 lekë dhe më pas janë larguar.

Automjeti që u përdor për kryerjen e kësaj vjedhjeje, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.