Transmetuar më 06-03-2023, 12:19

Një kulm ironie, një dozë humori të mirë dhe një grusht pragmatizmi. Këta janë përbërësit që Kylian Mbappé përdor me vetëdijen e tij të zakonshme kur bëhet fjalë për të folur mbi të ardhmen e tij. Te PSG apo gjetkë.

Sidomos tani kur po festohet rekordi i tij prej 201 golësh me fanellën e PSG, sulmuesi ndihet i lumtur. Me pak fjalë, çdo deklaratë duhet të peshohet, duke qenë se Real Madridi është gjithmonë vigjilent.

REKORDI – Deklaratat e Mbappe-s mund të lexohen të dyfishta. Aty qëndron e gjithë aftësia e golashënuesit më të mirë të Ligue 1 dhe tashmë golashënuesi më i mirë në historinë e klubit parizien, pas golit të fundit në fitoren 4-2 kundër Nantes:

“Të vendosja këtë rekord dhe të luaja për PSG-në, për mua, një parizien që nga lindja, është diçka e veçantë. Dhe nuk do ta besoja nëse do të më kishin thënë se do ta kisha bërë me shiritin e kapitenit (pas zëvendësimit të Marquinhos).

Unë luaj për të shkruar historinë dhe gjithmonë kam thënë se dua ta shkruaj në Francë, në kryeqytet, në vendin tim, në qytetin tim. Është madhështore, por mbetet shumë për të bërë. Është një synim personal, por kam ardhur këtu edhe për objektivat kolektivë”.

E ARDHMJA – Dhe këtu, gjuha vete ku dhemb dhëmbi. Mbappe dëshiron Ligën e Kampionëve, "të prekur" vetëm në vitin 2020, kur PSG humbi finalen me Bayern Munich (0-1). Gjigantët bavarezë e presin atë të mërkurën për rikthimin e 1/8 finale. Pasi ndeshja e parë në "Parce des Princes" përfundoi 1-0 për bavarezët, gjithçka duhet të përmbyset.

Jo e pamundur, por nuk mund të merret si e mirëqenë. Mbappé arrin atje me vendosmërinë e tij të zakonshme, por atyre që e pyesin nëse mos vazhdimi në Champions mund të ndikojë në të ardhmen e tij te PSG, ai përgjigjet me ironi në konferencën për shtyp: “Pa respektuar klubin mbi të gjitha, nëse e ardhmja ime do të lidhej me Ligën e Kampionëve, tashmë do të kishte shkuar shumë larg”.

Dhe meqenëse Mbappé nuk flet kurrë marrëzi dhe është plotësisht i vetëdijshëm për efektin e fjalëve të tij të kalibruara gjithmonë në milimetër, shakaja duhet të peshohet me kujdes. Edhe kur thotë: “Jam i lumtur te PSG”. Por, ka një "por" që bën të gjithë ndryshimin, në përfundim të përgjigjes: “Nuk mendoj se mund ta bëj të lumtur PSG-në, për momentin”.

Një sqarim kohor që ndryshon çdo perspektivë, duke ditur se që nga korriku, Mbappé duhet të vlerësojë nëse do të aktivizojë ose jo klauzolën për vitin e tretë të kontratës së nënshkruar pranverën e kaluar. Nëse nuk e bën këtë, sulmuesi mund të largohet si lojtar i lirë brenda pak më shumë se një viti.

Një skenar që tashmë po ngacmon mediat spanjolle që evokojnë një ofertë 220 milionëshe nga Real Madridi për të bindur Al Khelaifi ta shesë yllin e tij. Duke komentuar rekordin e tij me PSG, ylli francez shton: “Luaj për momente të veçanta si ky, për të lënë emrin tim në histori. Dua që të gjithë këtu të më kujtojnë mua”.