Transmetuar më 05-03-2023, 13:18

Tiranë- Dan Hutra shkaktoi një tragjedi të vërtetë duke vrarë 3 gra e duke lënë të plagosura 3 të tjera.

Nisur nga disa video të shpërndara në rrjetet sociale nga familjarë të familjes Hysa ku shprehen se gjaku i vajzës Mevlutes dhe nuses Hasimes duhet të paguhet, të afërm të Dan Hutës kanë kërkuar në Policinë e Tiranës mbrojtje.

Top Channel mëson se e motra 53-vjeçare e Dan Hutrës e cila banon në Sauk së bashku me të birin 29 vjeç kanë shprehur në polici pasigurinë e tyre për jetën pas vrasjeve të kryera nga Dan Hutra.

Megjithëse prej shume vitesh nuk kishin marrëdhënie të ngushta me Dan Hutrën ata i druhen hakmarrjes për shkak të lidhjes së gjakut.

Arratia e Dan Hutrës zgjati vetëm disa orë pas krimit pasi banorë të kombinatit njoftuan policinë për vendndodhjen e tij dhe ai u vu në pranga pranë landfillit të Sharrës.

Përpara togave të zeza ku u njoh me masën e sigurisë burg pa afat Dan Hutra nuk shprehu asnjë pendesë për krimet e kryera.

Hutra tregoi në gjykatë se skenarin e përgatiti teksa ishte në burg së fundmi, për dhunë në familje ndaj ish-bashkëjetueses, akuzë të cilën nuk e pranoi.

Sipas tij ky burgim i padrejtë e bëri të hakmerrej duke qëlluar me breshëri drejt familjes Hysa.