Transmetuar më 04-03-2023, 13:20

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, thotë se Edi Rama dhe Yuri Kim synojnë të rikthejnë Bashën në krye të demokratëve duke aluduar ndërhyrje të tyre në procesin gjyqësor që dje rrëzoi Rithemelimin.

Në mbledhjen e Kryesisë së PD ku mbajti një fjalim të gjatë, Berisha tha se opozita po përballet me vendimin e fundit të Edi Ramës për të bllokuar regjistrimin e PD në zgjedhje, dhe pas Bravës të marrë me vete edhe Lul Bashën, vulën e kësaj partie.

Për Berishën, "ky moment është dëshmia më flagrante e tmerrit dhe ferrit që ka kapur Edi Ramën, mafien shqiptare të tij, por e vërteta është edhe segmentet e mafies ndërkombëtare."

"Ata e shohin se demokratët janë të pamposhtur. Ata u përpoqën t’i japin PD goditje fatale, duke i mbajtur një peng politik në krye të saj që e akuzonin publikisht dhe ligjërisht si një kukull të financuar nga rusët dhe sipas tyre, sipas Edi Ramës, por e vërteta është po kaq, sipas guvernatores Yuri Kim, ky ishte i përshtatshëm për të drejtuar forcën opozitare".

Sipas Berishës, ky është paradoksi më i madh, jo për Edi Ramën: "Edi Rama ka origjinë xhelatësh, ndaj pluralizmit dhe kundërshtarëve politikë, është në genin e tij, por që përfaqësuesja e vendit të madh të lirisë, partnerit tonë kryesor të përpiqet në të gjitha mënyrat në shkelje më flgrante të Kushtetutës të vendit të vet dhe vendit tonë dhe të Konventës së Vjenës që opozita shqiptare të kryesohet nga një njeri i financuar nga rusët, nuk ka paradoks më të madh se ky. Por, këto skenare të cilët filluan me McGonigal dhe George Sorosin, me një qëllim të çelnikosjen e pushtetit të Edi Ramës. Ky ishte qëllimi në fillimet e tij të skenarit kundër opozitës. Ky skenar vazhdoi me proceset në të cilat Lulzim Basha u fut në thes dhe tani Edi Rama mendon se pasi dështon me bravën, do ta ngjallë Bashën me vulën".

Berisha tha se "në procesin gjyqësor të shpalljes palë të atij që nuk është palë, një rol jashtëzakonisht të dorës së parë ka luajtur Yuri Kim, e cila ka ndërhyrë në mënyrë më brutale te gjykatësja me Erion Veliajn, dhe këto janë të faktuara."

Berisha theksoi se "vendimi u shkrua në zyrat e Edi Ramës dhe u dërgua në gjykatë nga Elira Kokona, ndihmësja e Don Agaçios, e shquar për veprime mafioze korruptive dhe u lexua".

Në vijim të fjalës së tij Berisha shpalli dhe hapat që do të ndërmerren në vijim:

"Ne sot jemi mbledhur këtu për të diskutuar mbi situatën e krijuar. Sot pasdite do të mblidhet Grupi Parlamentar. Nesër do mblidhen kandidatët e PD dhe në darkë do të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD. Vendimet që duhen marrë janë të një rëndësie të jashtëzakonshme. Cilat do jenë qëndrimet tona para këtij akti të turpshëm, akt ekstrem armiqësor ndaj nesh, nga një mafie që nuk ka asnjë parim, që nuk respekton asnjë ligj.

Vendimi në tërësi i juristëve është që ky akt, ky vendim të dërgohet për rekurs në Gjykatën e Lartë. E them unë, që njerëzit mund të habiten se si ta dërgojmë ne te Sadushët. Ne do e dërgojmë në Gjykatën e Lartë. Do kërkojmë përjashtimin e Sadushit nga gjykimi. Nuk presim asgjë tjetër, se aty urdhri është po ky, por ne do ndjekim procedurën në gjykatën ndërkombëtare.

Sepse ka ndodhur një gjë që kurrë në një vend anëtar të Këshillit të Europës, që kurrë në një vend të lirë në botë, nuk ndodh që të shpallet palë ajo që nuk është palë. Rregulli për ta dërguar në gjykatë ndërkombëtare çështjen, kërkon që të ezaurohen shkallët e gjykatave të vendit. Ky është rregulli. Në këtë rast, natyrisht Sadushi që është edhe në vetvete ekzemplar në vendimet dhe qendrimet e tij, simbol i korrupsionit të dokumentuar dhe të fshehur për të gjetur dhe do gjindet, do firmosë të njëjtin vendim, por ne do kërkojmë përjashtimin e tij nga gjykimi. Kurse, përveç kësaj rruge PD duhet të përcakojë qendrime se ky është aspekti".