Transmetuar më 04-03-2023, 13:26

Rafaela Pimenta, agjentja e Erling Haaland, që vazhdon të thyejë rekorde, siguroi se Real Madridi ka një "magji të veçantë" që e bën atë ëndrrën e futbollistëve dhe përmendi idilin e tij me Champions League si një nga arsyet për këtë.

Agjenti i norvegjezit foli këtë të mërkurë në forumin e futbollit dhe industrisë të organizuar nga "Financial Times" në Londër dhe u pyet për destinacionet më të dëshiruara për futbollistët.

"Ka Premier League, por ka edhe Real Madrid. Ato kanë diçka më vete, që i bën ëndrrat e futbollistëve. Real Madridi e ka atë magji, sepse identifikohet me fitimin e Ligës së Kampionëve", – tha Pimenta, e cila gjithashtu komentoi arsyet pse Haaland zgjodhi Manchester City në merkaton e fundit të verës.

Ndër to, ajo vuri në pah mundësinë për të punuar me Pep Guardiolën, atraktivitetin e Premier League dhe se aty luante edhe babai i tij, Alfie. Përveç kësaj, agjentja vlerësoi konkurrencën e ligës angleze dhe e vendosi atë si më të fortën në botë:

"Kur fillova të merresha me këtë punë, nëse i thosha një futbollisti që duhet të shkonte në Angli, do të më pyeste: Çfarë kam bërë gabim? Tani, kur i pyes lojtarët se çfarë duan, ata më thonë se duan të shkojnë në Premier League. Nuk më thonë një skuadër specifike, por Premier League".