Transmetuar më 04-03-2023, 12:29

Massimiliano Allegri është paraqitur në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes që do ta shohë Juventusin të angazhuar në “Stadio Olimpico” kundër Romës. Në fillim të fjalës së tij, trajneri bardhezi vlerësoi kundërshtarin e nesërm, që nuk do të drejtohet dot nga Jose Mourinho në stol, sepse është i penalizuar:

“Roma po zhvillon një kampionat të shkëlqyer, po lufton për Champions League dhe në shtëpi është ndër skuadrat e para në Evropë, në renditjen e atyre që kanë pësuar më pak gola”.

Rikthimi i Pogba – "Paul është mirë, edhe nëse nuk ka minuta në këmbë për të luajtur titullar. Ai hyri mirë në lojë ndaj Torinos. Për momentin është një zgjidhje e shkëlqyer nga pankina”.

Të rikuperuarit – "Miretti është rikuperuar plotësisht. Milik do të kthehet pas pushimit, ndërsa Kaio Jorge nuk është në dispozicion. Të tjerët janë të gjithë gati".

Pritshmëritë po rriten edhe për ndeshjen kundër Freiburgut – “Është një sfidë e rëndësishme, janë shitur 22 mijë bileta në një ditë”.

Skualifikimi i Mourinhos – "Shpresoj ta shoh atë nesër në fushë. Nëse një trajner penalizohet për një veprim, nuk duhet të përjashtohet nga ndeshja e radhës, por të gjobitet. Mendoj se duhet të jepet vetëm një gjobë në këto raste".

Liga e Kampionëve – "Të kualifikohemi në Champions, edicionin e ardhshëm, është një gjë e vështirë për ne, pothuajse e pamundur. Njëri nga Interi, Milani, Lazio dhe Roma do të mbetet jashtë. Është gjithashtu Atalanta në këtë garë. Ne duhet të bëjmë një hap të vogël çdo herë. Të kualifikohemi në Ligën e Kampionëve me penalizimin e 15 pikëve? Do të ishte sikur të fitonim tre tituj kampioni”.