Transmetuar më 04-03-2023, 12:33

GREQI- Sot do të zhvillohet ceremonia mortore për vdekjen e 23-vjeçares shqiptare Ifigjeni Micka. Varrimi do të zhvillohet në orën 11:00 në Giannica. Lajmi është dhënë nga avokati i familjes Stelios Sourlas në një prononcim për median greke Skai.

"Trishtimi dhe inati po vërshojnë. Kemi besim te drejtësia greke, jemi të sigurt që përgjegjësitë do të caktohen aty ku i takojnë. Familjet e viktimave presin një falje të sinqertë të cilën nuk e kanë dëgjuar", shtoi Sourlas.

Ifigjeni Micka, studionte për administrim biznesi dhe ndodhej në vagonin e tretë të trenit Intercity. Ajo ishte duke u kthyer me të dashurin e saj nga Athina ku kishin shkuar që të hënën. I fejuari i saj ka pësuar djegie të shumta në trup. Ai ka thënë se vajza ishte varur tek ai nga dritarja dhe ai ka bërë thirrje për ndihmë, por askush nuk është përgjigjur. “Nga përplasja janë thyer xhamat. Ifigjenia ishte varur nga dritarja dhe unë e mbaja me gjithë forcën time. Po bëja thirrje për ndihmë, në një moment më ndihmoi një person tjetër, e zbritëm dhe e çuam në daljen e parë, prej nga dilnin njerëzit. E vendosëm në sedilje, sepse ishte rëndë dhe nuk doja ta lëndoja dhe dola jashtë për të thirrur zjarrfikësit. U përpoqa të kthehesha, por nuk më lanë dhe më çuan në ambulancë. Që atëherë i humba gjurmët e saj. Unë pyesja dhe askush nuk më përgjigjej”, ka thënë i riu, i cili ka pësuar djegie të lehta nga djegia e llamarinës”,-ka thënë ai.

23-vjeçarja shqiptare ishte pa ndjenja dhe zjarrfikësit thanë se do e nxirrnin jashtë, por ai nuk pa më asgjë. Familja e saj e kërkoi për dy ditë, pasi ajo nuk ishte as në listën e të plagosurve dhe as në listën e të vdekurve. Trupi i saj u identifikua më pas përmes ADN.