Transmetuar më 04-03-2023, 11:16

Futbollistët, të cilët mburren me pasuri milionerësh në llogaritë e tyre personale, karakterizohen nga teka që nuk i përmbush dot kushdo. Këtë herë, i fundit që ka derdhur një shumë të madhe parash për blerjen e një luksi të tepruar ka qenë Kylian Mbappé.

Sulmuesi dhe ylli i Paris Saint-Germain ka blerë një nga automjetet më ekskluzive në treg, një Ferrari, sipas revistës GQ. Francezi ka zgjedhur mes dy modeleve (Ferrari 488 Pista dhe Ferrari SF90 Stradale) nga firma italiane, çmimi i të cilave llogaritet rreth gjysmë milioni euro nëse është krejt i ri.

Megjithatë, Mbappé nuk do të mund ta shijojë këtë xhevahir për shkak të një problemi shumë të zakonshëm tek të interesuarit për të drejtuar një automjet. Francezi nuk ka patentë shoferi pavarësisht se është 24 vjeç dhe e tregon sa herë shkon në stërvitje, pasi në qytetin sportiv mbërrin me një makinë që nuk drejtohet prej tij.

Në fakt, francezi e pranoi se i mungon patenta e shoferit, siç e kanë bashkëlojtarët e tij, ndonëse nuk është një nga prioritetet e tij, sepse ka në dispozicion shoferë: “Është një nga të metat e të qenit i suksesshëm qysh herët.

Më kanë munguar gjërat e thjeshta si patenta e shoferit. Për shumë njerëz patenta është një detyrim, por nuk ishte për mua. Edhe pse është sinonim i autonomisë, autonominë time e pata shumë shpejt, sepse kam pasur shoferë në dispozicion. Nuk ka qenë kurrë prioritet”, – ka rrëfyer ai në një intervistë për "Bleacher Report".