Transmetuar më 04-03-2023, 10:36

Tiranë- Ditën e sotme në Gjykatën Penale të Tiranës pritet të dalë për të mësuar masën e sigurisë autori i krimit të trefishtë, Dan Hutra.

Prokuroria ka ngritur 3 akuza për vrasësin që realizoi tre krime të njëpasnjëshme, të mirëllogaritura në kohë.

Prokuroria ka ngritur akuzat e ‘vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare’, ‘vrasjes me paramendim’ dhe ‘prodhimit dhe mbajtjes pa leje e të armëve’ ndaj 41-vjeçarit Dan Hutra.

Vrasësi gjakftohtë me shumë gjasë do të mbrohet nga një avokat kryesisht i siguruar nga shteti, ndërsa prokurori i çështjes ka kërkuar masën e sigurisë arrest me burg. Hetime po kryen edhe nëse në masakrën e 1 marsit ku humbën jetën Etleva Kurti, Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku, autori të jetë ndihmuar nga persona të tjerë.

Dan Hutra me precedentë të mëparshëm penalë, rrëfeu të gjithë kronologjinë e masakrës duke shtuar se po atë ditë kishte planifikuar një vrasje tjetër në zonën e Sharrës, por që nuk e realizoi dot pasi u prangos nga Policia.

Ndërkohë, nuk dihet nëse Prokuroria do të kërkojë një ekspertizë të gjendjes mendore për 41-vjeçarin, ndonëse ai vetë ka treguar se në fakt nuk është i penduar për masakrat e kryera brenda një harku kohor prej gjysmë ore. Policia dhe Prokuroria tashmë veç të tjerave do të kërkojnë vetëm nëse Hutra ka komunikuar me ndonjë person tjetër për planin e tij terrorist, ndonëse sipas të dhënave nuk është gjendur ende ndonjë lidhje e tij pas tri ditë hetimesh. Hutra pritet të dënohet me burgim të përjetshëm.

Policia bën me dije se Dan Hutra nuk ka pasur mbështetjen e familjes në ato ngjarje duke lënë të kuptohet se ai në një farë mënyre është i braktisur prej tyre, ashtu siç pritet të braktiset dhe të mos mbrohet as nga ndonjë avokat.