Transmetuar më 03-03-2023, 16:43

Komiteti Kombëtar i Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez (KKPPK) mbajti një konferencë shtypi të premten, një ditë përpara sesionit vjetor të organit më të lartë të këshillimeve politike.

Guo Weimin, zëdhënës i sesionit të parë të Komitetit Kombëtar të legjislaturës së 14-të të KKPPK-së, informoi shtypin mbi sesionin.

Sesioni i parë i Komitetit Kombëtar të 14-të të KKPPK-së është planifikuar të fillojë të shtunën në orën 15:00 në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin dhe të përfundojë më 11 mars pasdite, duke zgjatur shtatë ditë e gjysmë, njoftoi zëdhënësi.

Këshilltarët politikë kombëtarë të Kinës besojnë se ekonomia kineze mbetet e qëndrueshme dhe është plot me forca e potencial, tha Guo në përgjigje të një pyetjeje lidhur me rezultatet ekonomike të Kinës pas tre vjetësh kufizimesh lidhur me COVID-19.

Anëtarët e KKPPK-së kanë bërë disa propozime lidhur me rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit, si thellimi i reformës së sistemit financiar të Kinës dhe orientimi i institucioneve financiare për t’u shërbyer më mirë bizneseve të vogla, inovacionit e zhvillimit, si edhe për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm e të shëndetshëm të industrisë së pasurive të patundshme.

Guo vuri në dukje se rimëkëmbja e vazhdueshme ekonomike e Kinës do të sigurojë edhe mbështetje të fortë lidhur me stabilizimin e punësimit.

Besimi i Kinës dhe angazhimi i saj ndaj Reformës e Hapjes nuk do të luhaten, tha Guo, duke shtuar se KKPPK-ja e ka kryer aktivisht punën e vet rreth politikës strategjike.

"Kina do të marrë masa konkrete për të nxitur hapjen dhe do të vazhdojë të ofrojë mundësi e shtysa të reja për zhvillimin botëror," u tha zëdhënësi gazetarëve.