Transmetuar më 03-03-2023, 12:30

Kur bota humbi një “perlë”, atë që quhej “mbreti” i futbollit, ishte një moment shumë i trishtuar për këtë sport në mnbarë globin. Pikëllim i madh në vëllazërinë e futbollit, tifozët dhe lojtarët kur u nda nga jeta Pele. Vajza e këtij të fundit, Kely Nascimento, ka ndarë një histori të ngrohtë për babain e saj gjatë Kupës së Botës.

Ajo zbuloi se tri herë kampioni i botës dëshironte që Lionel Messi ta fitonte Kupën e Botës 2022, pasi u eliminua Brazili i tij i zemrës  nga Kroacia. Kely zbuloi gjithashtu se inkurajimin e babait të saj ia përcolli Messit përmes gruas së argjentinasit, Antonela Roccuzzo.

Pele, i konsideruar gjerësisht si lojtari më i madh në histori, vdiq më 29 dhjetor në moshën 82-vjeçare, vetëm 11 ditë pasi Messi dhe shokët e tij fituan Kupën e Botës 2022. Sulmuesi legjendar, i cili në atë kohë po luftonte me kancerin e zorrës së trashë, e shikoi Kupën e Botës nga shtrati i spitalit, ndërsa postonte rregullisht mbështetjen e tij për Brazilin.

Ja postimi i vajzës së Peles në Instagram: “Nuk pata rastin ta takoja Messin, kështu që kur takova Antonela Roccuzzo në atë vend magjik të çdo feste (banjo e grave), i dërgova mesazh përmes saj. Kur Brazili humbi ndaj Kroacisë dhe u eliminua nga Botërori i Katarit, babai im tashmë po përkeqësohej shumë.

Të gjithë donin që Brazili ta fitonte këtë kupë për babain tim. Im atë e kuptonte futbollin më mirë se shumëkush tjetër. Ishte me të vërtetë mundësia që çdo ekip të mund të fitonte, që ai gjithmonë thoshte se e pëlqente këtë lojë të bukur.

Pas humbjes së Brazilit, të gjithë ata që hynin në atë dhomë spitali thoshin: "Çfarë dëshiron Pele? Tani kë do fitues në Katar? Sigurisht, JO Argjentinën!" Dhe ai tha: "Po, uroj ta fitojë Argjentina! Kjo kupë duhet të qëndrojë në Amerikën e Jugut dhe Messi e meriton atë".

Të gjithë pretendonin: "Tmerr!! SI?! Ta fitojë Argjentina!?” Dhe babai e përforconte: "Po, Messi e meriton atë". Ai nuk mundi ta shikonte në televizor finalen, por e kuptoi që Argjentina fitoi dhe Messi arriti të ngrinte kupën. Ishte i lumtur për këtë. Rroftë futbolli”.