Transmetuar më 03-03-2023, 11:10

Gjykata e Apelit do të vendosë këtë të premte (3 mars) për “fatin” e Partisë Demokratike.

Gjykata është mbledhur në orën 11.00 për vulën e PD, nëse timoni i selisë blu do të mbetet në duart e Kreut të Grupit Parlamentar demokrat Enkelejd Alibeaj, apo në duart e Kreut të PD-së së Rithemelimit, Sali Berishës.

Gjykata e Apelit ka marrë në shqyrtim anikimimin e PD ndaj vendimit nr. 3 datë 25.03.2022 me gjyqtar, Agron Zhukri, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, lidhur me faktin se kujt i takon zyrtarisht vula për drejtimin dhe përfaqësimin e PD-së, çështje e cila do të gjykohet nga një trup e përbërë nga 3 gjyqtarë.

Një vit më parë, Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e kreut të grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, për të ankimuar vendimin mbi regjistrimin e vendimeve të Kuvendit të 11 Dhjetorit të Rithemelimit të PD-së.

Kundër këtij vendimi u paraqit ankim nga Partia Demokratike e Shqipërisë përfaqësuar nga Alibeaj, në datë 05.04.2022.

Kërkesa ka si qëllim prishjen e Vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me gjyqtar Agron Zhukri, duke vendosur pushimin e gjykimit ose kthimin e saj për shqyrtim në të njëjtën gjykatë, por me tjetër trupë gjykuese. Vendimi i Apelit do të jetë i formës së prerë.

Përfaqësuesit ligjorë të Rithemelimit janë shprehur se Enkelejd Alibeajt nuk mund ta ankimonte vendimin e Zhukrit, duke qenë se nuk ishte palë në proces.

Pamjet: Sot në gjykatë