Transmetuar më 03-03-2023, 11:08

Kanë kaluar 13 vite që kur Gerard Pique dhe Zlatan Ibrahimovic ishin protagonistët e një fotografie që shkaktoi shumë polemika, pasi ata shfaqeshin shumë të afërt asokohe. Për shumëkënd ishin fotografuar në një pozicion disi të sikletshëm, sikur do të putheshin.

Tani është vetë ish-lojtari i Barcelonës që ka sqaruar se çfarë ndodhi atë ditë në parkingun e klubit, kur të dy luanin për Blaugrana-t. Gjatë një bisede me Ibai Llanos në "After Kings", një program në Twitch ku flasin për atë që ndodhi në "Kings League", turneun në të cilin kanë ekipe, Piqué u mor në pyetje për fotografinë e famshme.

Ish-mbrojtësi spanjoll nuk hezitoi të tregojë të vërtetën e tij, duke ngulmuar se imazhi është nxjerrë jashtë kontekstit: "Në atë foto jemi në parkingun e klubit. Aty është makina ime dhe gazetarët. Mund ta puthja në buzë Zlatan, por jo në parkingun e klubit. Fotoja është keqintepretuar totalisht, por më i miri nga të gjithë ishte reagimi i Zlatanit".

Pas publikimit të fotos, një gazetar e pyeti sulmuesin suedez nëse ishte homoseksual dhe Ibra u përgjigj me tërbim: “Jo, jo, ti dhe motra jote ejani tani në shtëpi dhe unë do t’ju vërtetoj se nuk jam homoseksual".

Në vitin 2015 mbrojtësi i atëhershëm kishte sqaruar se çfarë ndodhi në atë rast. Ai i tha revistës "FourFourTwo" se ishte një keqkuptim, se i ishte afruar Zlatanit për ta uruar pas publikimit të autobiografisë së tij:

"Unë jam një person shumë i prekshëm, shumë i dashur. Fotografi e bëri foton në momentin kur ne po shtrëngonim duart. Unë isha brenda në mjediset e klubit, kështu që nuk mendoj se ishte diçka nga bota e argëtimit".