Transmetuar më 03-03-2023, 10:27

Ai luajti 6 sezone me fanellën e Napolit, duke fituar një Kupë Italie. Tani, Elseid Hysaj do të luajë në mbrojtjen e Maurizio Sarrit kundër ish-klubit të tij. Mbrojtësi shqiptar i krahut është i favorizuar ndaj Lazzari për një fanellë titullari në stadiumin "Diego Armando Maradona":

"Duhet guxim dhe vetëdije për t’u përballur me Napolin. Ata janë një ekip i fortë, po bëjnë gjëra të mëdha. Në një stadium si ‘Maradona’ duhet besim, si dhe qëndrimi i duhur. Shpresoj t’i vëmë në vështirësi në stadiumin e tyre”, – tha ai në mikrofonat e televizionit zyrtar të klubit bardhekaltër

Hysaj është në sezonin e dytë në kryeqytet, por nuk i harron vitet e kaluara në Napoli: "Me kalimin e kohës, Napoli ka ndryshuar mentalitetin dhe shumë më tepër. Gjatë periudhës sime me fanellën blu iu afruam titullit.

Të gjitha këto sezone kanë qenë të dobishme për të arritur rezultatin aktual. Edhe ne po rritemi dhe shpresojmë të arrijmë në kësi pozitash. Kujtimet e viteve të mia në Napoli janë të shkëlqyera, shpresoj që të festojnë titullin në fund të sezonit”.