Transmetuar më 03-03-2023, 10:24

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla është paraqitur paraditen e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, (SPAK).

Nuk dihet arsyeja pse Balla ka shkuar në SPAK, teksa nga oborri i Prokurorisë së Posaçme, ai i dha një mesazh dhe ish-kryeministerit Sali Berisha, i cili sipas tij duhet të nisë të mësohet të shkojë në këto ambiente.

“Berisha duhet të mësohet të vijë këtu. Ligji funksionon dhe vepra penale e shpifjes është një vepër që duhet dënuar,” – deklaroi ai duke premtuar se do ta fitojë gjyqin ndaj Sali Berishës, të cilin e ka paditur pas akuzave të artikuluara nga kreu demokrat i Rithemelimit në seancat plenare.

Më herët Berisha e ka akuzuar Ballën si porositësin e vrasjes së avokatit Ravik Gurra.

“Ke fshirë regjistrimet. Prokurori që ka fshirë regjistrimet e ke lartësuar në detyrë. Sot këtu në parlament është hija e Ravik Gurës i cili të kishte kapur ty me bandat për porosi vrasjesh, dhe e eliminove”, ka thënë Berisha

Kreu i grupit parlamentar socialist tha se nëse kreu demokrat nuk paraqet provat për akuzat e ngritura, do të përballet me drejtësinë për shpifje.

Këtë të premte (3 mars), ishte seanca e dytë për padinë e ngritur nga Balla dhe kreu demokrat, nuk është paraqitur.

“Unë për çdo shpifje dhe sulmi të pabazuar kam vendosur një standard, i jam drejtuar gjykatës. Këtë herë i jam drejtuar Gjykatës pranë SPAK si një padi penale ndaj Sali Berisha dhe Floriana Garos.

Berisha këtë godinë e ka shumë frikë dhe nuk i afrohet dot. Është seanca e dytë që nuk vjen. Vlerësoj vendimin e Gjykatës që urdhëroi përsëri thirrjen e Sali Berishës, i cili duhet të mësohet se kur ngre akuza ndaj kundërshtarëve politik apo çdo qytetari, duhet të mësohet se shteti ligjor ka mekanizma që të shtrëngon për tu paraqitur në gjykatë për të paraqitur provat nëse i ke, ose për t’u ndëshkuar nëse nuk ke bazë mbi ato që ke thënë.

Ky njeri duhet të mësohet se ligji funksionon dhe vepra penale e shpifjes duhet ndëshkuar”, tha Balla.