Transmetuar më 02-03-2023, 20:41

Tiranë- Shqipëria do të mbajë të dielën ditë zie kombëtare në nderim të viktimave që humbën jetën nga aksidenti tragjik në Larisa të Greqisë.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, i cili e ka cilësuar këtë ngjarje, si tragjedinë edhe të vendit tonë.

Më 5 mars, flamuri në të gjitha institucionet shtetërore do jetë në gjysmështizë.

"Tragjedia e Greqisë është edhe tragjedia jonë, dhimbja për jetët e humbura në aksidentin e tmerrshëm është edhe jona dhe ky është një nga ato momente jetësore, kur një humbje e madhe tek fqinji të tregon më shumë se sa njëqind gëzime që jetët tona janë të ndërlidhura pazgjidhshmërisht, e se duhet të bëjmë çmos që t’i bëjmë ato sa më të mira, duke bashkëpunuar gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin.

Ditën e dielë Shqipëria do të nderojë me një ditë zie viktimat e tragjedisë, duke u bashkuar simbolikisht me Greqinë mike me flamurin kombëtar të ulur në gjysëm shtize."- ka njoftuar kryeministri Rama.

Kujtojmë që numri i viktimave nga aksidenti në Larisa i ka kaluar 57, ndërsa deri më tani 1 shqiptar është nxjerrë i vdekur, 7 janë të plagosur dhe 4 të zhdukur.