Transmetuar më 02-03-2023, 17:11

Elbasan- Kanosi për motive të dobëta një 24-vjeçar, me një armë artizanale të modifikuar si armë zjarri, falë reagimit të menjëhershëm të Policisë në vendngjarje, identifikohet dhe arrestohet 60-vjeçari.

Sekuestrohet arma artizanale e modifikuar si armë zjarri dhe municion luftarak.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit se në bulevardin “Aqif Pasha”, dyshohej se një shtetas kishte kanosur me një armë, për motive të dobëta, një 24-vjeçar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në vendngjarje, me qëllim vënien në pranga të autorit të këtij rasti.

Shërbimet e Policisë bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit A. G., 60 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale “Kanosja”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, pasi nga veprimet hetimore të kryera në vendngjarje, rezultoi se ky shtetas kishte kanosur për motive të dobëta, me një armë artizanale të modifikuar si armë zjarri, një 24-vjeçar.

Në cilesinë e provës materiale, u sekuestrua arma e përdorur për kanosje dhe një fishek luftarak.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të metejshme.