Transmetuar më 02-03-2023, 15:27

Gazetarja e njohur Sonila Meço i dedikoi një shkrim formatit "Big Brother VIP", pas prime të mbrëmjes së të martës ku pati debate të forta.

"Kavie brenda e kavie jashtë… Vëllai i Madh brenda e Shefi i Madh jashtë…", e mbyllte shkrimin Meço.

Për këtë status ka reaguar edhe vetë Lori Xhoxha e cila i është përgjigjur Sonilës duke i thënë se kavie jemi të gjithë nga pak.

Statusi i Lori Hoxhës: E keni parasysh ai grupi “cool” i shkollës që me të mirat apo të këqijat e veta prapë është “cool”. Dhe ti në thelb i ke inat po nëse ata do të ftonin të haje drekën me ta, ti do t’i lije shokët e fëmijërisë në baltë vetëm që të uleshe njëherë me ta. Yeh kavie të gjithë nga pak.

Shkrimi i Sonila Meços: "Kavie, kavie, kavie…Të rritur mjaftueshëm për t’i konsideruar viktima, të provokuar rëndshëm për t’u ulëritur moralin në fytyrë, të përdorur keqaz për t’u bërë gjyqin, të përfshirë me miratimin e tyre për t’u manipuluar, në një laborator mediatik ku rregullat ndryshojnë arbitrarisht, ku loja ngatërrohet me koshiencë me jetën reale sipas nevojës së audiencës, ku qëllimi justifikon mjetin, shikueshmëria skandalin, spektakli politikën, morali padrejtësinë dhe dhoma e rrëfimit justifikon ekuilibrat e forcës.

Aty ku dashuria stimulohet me çdo kusht për lojë e loja çon për skrap dashurinë. Aty ku të çojnë me pahir në një puthje, për ta përdorur po atë pahir me prodhu “dhunën”. Aty ku mbijetesa sigurohet vetëm nga intriga, por të “vrasin” me fjalime patetike mbi njerzillëkun.

Dhe në fund të dëmtuarit e mëdhenj janë kaviet jashtë laboratorit, që presin drejtësi nga një lojë, në një tv privat, me skenar, sponsora dhe fitime marramendëse prej përfshirjes së tyre.