Transmetuar më 02-03-2023, 14:46

Kosovë- Kosova njihet për disa pasuri të rralla nëntokësore. Ari është njëri prej mineraleve. Një kompani britanike njoftoi se 640 mijë tonelata gjenden në dalje të Prishtinës. Kompania britanike për zbulimin e minierave Western Tethyan Resources njofton se në fshatin Slivovë janë 640 mijë tonelata ari. Zona ndodhet rreth 20 kilometra larg Prishtinës.

Zona kryesore në Slivovë ka burime të përcaktuara prej 640 kt [640 mijë tonelata] apo 4.8 gr/tonelata ari për 98,700 ons.

Drejtori menaxhues i WTR-së, Mentor Demi:

Jemi shumë të kënaqur me përfundimin e suksesshëm të vlerësimit të biznesit në projektin e arit Slivova dhe me përgatitjet për hyrjen në marrëveshjen definitive të përfitimit me Avrupa Minerals. Qasja jonë sistematike në hulumtim dhe zhvillim të minierave ka rezultuar me konfirmim të resureve me potencial ekonomik dhe konfirmim të potencialit hulumtues për projektin e arit Slivova. Ne mezi presim të ofrojmë njoftime të reja në lidhje me studimin e VPE për projekt, së bashku me rezultatet e tjera hulumtuese, në të ardhmen e afërt.

Studimi konceptual i projektit të Slivovës i përfunduar gjatë fazës së vlerësimit të biznesit ka sugjeruar për një potencial të një miniere të vogël me opsione të mira menaxhuese të procesimit, si dhe menaxhimit të mbetjeve.

Në Strategjinë Minerare thuhet se “ari paraqitet edhe i pastër (i vetëlindur) në depozitime aluviale të lumenjve, mirëpo deri më tani ari dhe argjendi janë nxjerrë vetëm nga xehet e plumbit dhe zinkut”.

Në Strategjinë Minerare të dhënat bazohen në hulumtime të pakta që janë realizuar në territorin e gjerë të Artanës, Junikut, në lumin Tërnavë, Dragash, në afërsi të Prekovcit (Kriva Reka), Gllamë dhe në lindje të Koretishit.

Miniera e Artanës (ish-Novobërda), është më e pasura sa i përket arit. Llogaritet se në këtë minierë ka resurse të arit deri në 2 mijë e 700 kilogramë.

Aktualisht, çmimi i një gram ari në kryeqytet, varion nga 50 deri në 55 euro.

Çmimi i një kilogrami të arit tani sillet deri 55 mijë euro, nga 51 mijë sa ishte më 2021, e 47 mijë në vitin 2020. Kosova është vendi i vetëm në rajon, pa rezerva natyrore të arit./Monitor