Transmetuar më 02-03-2023, 10:30

Tre djem nga Durrësi, të zhytur në vjedhje banesash e biznesesh, ishin bërë tmerri i Kavajës, sidomos për pronat e emigrantëve, duke plaçkitur ç’tu dilte përpara.

Në kushtet kur të paktën 24 vjedhje ishin raportuar kohët e fundit, policia lokale u vu në lëvizje për të zbuluar hajdutët.

Tonin Vocaj, drejtor i policisë së Tiranës, tha sot se për kapjen e të dyshuarve u krye operacioni i koduar me emrin "Trinomi".

Aksioni erdhi pas një hetimi disamujor dhe u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi me prova ligjore i 24 vjedhjeve në banesa, të ndodhura në rrethin e Kavajës, gjatë vitit 2022 dhe 2 muajve të parë të vitit 2023.

Gjatë këtij operacioni u vunë në pranga 3 shtetas, 2 prej tyre të dënuar më parë për vjedhje, si dhe u sekuestruan sendet e vjedhura.

Po gjatë këtij operacioni, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, u sekuestruan 2 armë zjarri dhe municion luftarak.

Personat e arrestuar janë Eraldo Troshku, 21 vjeç, Ervis Qoli, 28 vjeç dhe Enea Meta, 32 vjeç, që të tre banues në Durrës. Dy të parët ishin të dënuar më parë për vjedhje.

"Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nga muaji qershor i vitit 2022 deri në muajin shkurt të vitit 2023, kanë kryer vjedhje në banesa të ndryshme, në rrethin e Kavajës, kryesisht në banesat e emigrantëve.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas janë autorë të 24 rasteve të vjedhjeve në banesa, ku kanë marrë sende me vlerë, orendi, vegla pune dhe pajisje të tjera elektroshtëpiake.

Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasit Troshku dhe Qoli bashkëpunonin me shtetasin Metën, për të realizuar vjedhjet dhe për të nxjerrë përftitime prej tyre", tha z.Vocaj. /noa.al