Transmetuar më 02-03-2023, 10:47

Tiranë – Një objekt banimi i kthyer në shtëpi bari është zbuluar në Tiranë përmes dronëve policorë, duke çuar në sekuestrimin e një sasie droge gati për shitje, që në tregun narkotik vlen të paktën 100 mijë euro, raporton noa.al.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues i Parë Tonin Vocaj, foli për mediat për këtë aksion.

Ai tha se nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, pas një hetimi me metoda speciale, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “SHTËPIA JESHILE”.

Për finalizimin e këtij operacioni, strukturat e Policisë kanë përdorur edhe një mjet inteligjent dron.

Gjatë operacionit u godit një grup kriminal që ushtronte veprimtarinë në fushën e kultivimit të kanabisit, me anë të llambave, dhe të tregtimit të tij, në qytetin e Tiranës.

Aksioni erdhi si rezultat i hetimit ku u bë i mundur identifikimi i trafikantëve dhe lokalizimi i ambienteve që ishin përgatitur për të kultivuar bimë narkotike të llojit kanabis.

Bazuar në këto prova u organizua dhe finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Shtëpia jeshile”, në kuadër të cilit u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:

Ervin Prifti, Artan Muça, dhe Gentian Muça

Ervin Prifti, 29 vjeç, banues në Tiranë, Artan Muça, 44 vjeç, banues ne fshatin Mallkuç, Fushë-Krujë dhe Gentian Muça, 26 vjeç, banues në fshatin Mallkuç, Fushë-Krujë.

Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit Artan Muçës, në Mallkuç, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, 61 kilogramë lëndë narkotike kanabis, e paketuar gati për shitje, me vlerë rreth 100 000 euro.

Gjithashtu, nga kontrolli u gjetën dhe u sekuestruan pajisje të ndryshme që shërbejnë për kultivimin e kanabisit në ambiente të mbyllura, si: llamba, aspiratorë, ventilatorë, filtra ajrimi etj, një shotgun, municion luftarak, shuma parash, 2 automjete dhe 3 aparate celulare.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 3 të arrestuarit, pasi kultivonin kanabis në banesën e Artan Muçës, e paketonin dhe më pas e shisnin atë. /noa.al