Transmetuar më 02-03-2023, 00:10

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se qeveria ka siguruar të dhëna se Gjykata do të vendosë kundër PD së drejtuar prej tij dhe për më tepër ka njoftuar dhe diplomatët e huaj.

"Olta Xhaçka ka informuar ambasadorë se gjykatësit kanë vendosur të pengojnë regjistrimin e PD në zgjedhje", tha Berisha në një dalje për mediat.

"Olta Xhaçka ka informuar ambasadorë, pasi Taulant Balla ka informuar për vendimin. Ka informuar ambasadorë se gjykatësit kanë vendosur, sipas saj kanë vendosur të pengojnë regjistrimin e PD në zgjedhje", përforcoi Berisha dhe shtoi:

"Unë ç’është e vërteta, megjithëse burimi është shumë i sigurt, përsëri nuk mund të shprehem dhe nuk mund të paragjykoj, pasi mendja ime nuk frenon kurrë që tre gjykatës të mund të marrin një vendim që do shkojë në kohëra si vendimi më i zi kundër një shoqërie dhe një populli si përpjekja më anti-kushtetuese, më e paimagjinueshme për të përjashtuar opozitën nga zgjedhjet në një kohë ku ajo ka plotësuar çdo kusht ligjor.

Dhe të bëhet kjo duke shpallur palë atë që kurrë nuk është palë, duke marrë përfaqësues atë që nuk përfaqëson asgjë, kjo tejkalon çdo lloj imagjinate.

Ndaj dhe unë nuk jam i prirur, e them prapë që të besoj aq shumë korrespondencën e Olta Xhçkës me ambasadorë për këtë çështje". /noa.al