Transmetuar më 01-03-2023, 16:00

Tiranë – Një tjetër grua është qëlluar sot me armë zjarri në kryeqytet dhe dyshimet janë se kemi të bëjmë me një serial killer që po godet femra të moshave të ndryshme. Noa.al konfirmoi se 40 vjeçarja është qëlluar me armë të ftohtë nga Dan Hutra.

Policia e Tiranës tha se sot rreth orës 12:15, është paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore në spital, shtetasja Marjana G., 40 vjeçe, e dëmtuar me mjet prerës, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Dyshohet se kjo shtetase është dëmtuar me mjet prerës, në zonën e quajtur "Astiri”. Noa.al raporton se kjo grua ishte e dashura aktuale e Dan Hutrës.

Policia tha se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Kjo rezulton të jetë ngjarja e parë kriminale me pasojë plagosjen e një femre, sot në Tiranë, e lidhur me Dan Hutrën.

Ndërsa kjo ngjarje raportohet të ketë ndodhur rreth mesditës, gjithmonë duke iu referuar policisë, në 12.30 ndodhi masakra me dy të vdekur në Paskuqan.

Rreth orës 12:30, në rrugën "Rustem Haklaj", në Kodër-Kamzë, shtetasi Dan Hutra, rreth 40 vjeç, ka plagosur me armë zjarri shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri shtetaset, Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).

Autori i dyshuar ishte arrestuar për dhunë në familje në datën 16.06.2022, dhe ishte liruar pak ditë më parë, me datë 16.02.2023.

Më parë, ai ka qenë i dënuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, ngjarje e ndodhur në vitin 2007, në Kukës, kurse tani i është sulur bashkëjetueses dhe familjarëve të saj.

Nga të dhënat e mësipërme del se Dan Hutra e ka nisur masakrën e tij me thikë në Astir, duke e vazhduar me kallash në Paskuqan.

Ndërkohë, në Kamzë, në rrugën "Besëlidhja", në rrethana ende të paqarta, në oborrin e banesës, është vrarë me armë zjarri shtetasja Etleva Kurti, 31 vjeçe.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe është ngritur një grup i posaçëm hetimor që po punon për identifikimin e autorit/ëve të dyshuar.