Transmetuar më 01-03-2023, 15:25

Ministri grek i Transporteve Kostas Karamanlis dorëzoi dorëheqjen të mërkurën, pak orë pas aksidentit tragjik në Tempi që deri tani ka marrë jetën e të paktën 36 personave.

"Kjo është ajo që e ndjej si detyrë ta bëj si një shenjë të vogël respekti për kujtimin e të ikurve”, shprehet ndër të tjera ministri i Transporteve Kostas Karamanlis.

Dorëheqja e Kostas Karamanlis u pranua nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis, i cili pritet të lëshojë një deklaratë lidhur me këtë.

Teksa njoftonte dorëheqjen, ministri tha:

"Sapo jam kthyer nga skena e tragjedisë së trenit në Tempe. Dhimbja është e papërshkrueshme.

Është fakt që hekurudhën greke e kemi marrë në një gjendje që nuk i përshtatet shekullit të 21-të.

Në këto 3.5 vite kemi bërë të gjitha përpjekjet për ta përmirësuar këtë realitet. Fatkeqësisht, këto përpjekje nuk ishin të mjaftueshme për të parandaluar një aksident të tillë. Dhe kjo është shumë e rëndë për të gjithë ne dhe për mua personalisht.

Kur ndodh diçka kaq tragjike, nuk është e mundur të vazhdohet sikur të mos kishte ndodhur. Unë kam disa vite që jam në politikë, por e konsideroj element të domosdoshëm të demokracisë sonë që qytetarët e vendit tonë t’i besojnë sistemit politik. Kjo quhet përgjegjësi politike.

Për këtë arsye jap dorëheqjen nga posti i ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit. Është ajo që unë e ndjej detyrën time të bëj si një shenjë minimale respekti për kujtimin e njerëzve që u larguan kaq padrejtësisht dhe duke marrë përgjegjësinë për gabimet e shtetit dhe sistemit politik grek.

Nga thellësia e zemrës, edhe një herë shpreh dhimbjen dhe mbështetjen time për familjet e viktimave”. /noa.al