Transmetuar më 01-03-2023, 14:40

Vritet një tjetër femër në Tiranë, viktima është 31 vjeçe dhe u qëllua pak minuta më parë në oborrin e shtëpisë. Policia nuk konfirmon nëse kjo vrasje lidhet me atë që ndodhi në Paskuqan. Noa.al kërkoi zyrtarisht informacion dhe në përgjigje mori se nuk ka aktualisht të dhëna të qarta.

Ngjarja ndodhi sot në  rrugën "Besëlidhja", në Kamzë, kur në rrethana ende të paqarta, në oborrin e banesës, është vrarë me armë zjarri shtetasja Etleva Kurti, 31 vjeçe.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe është ngritur një grup i posaçëm hetimor që po punon për identifikimin e autorit/ëve të dyshuar.

Vrasja tjetër, e dyfishtë, në Paskuqan

Paskuqan, Tiranë, NOA.al – Dy të vdekur dhe dy të plagosur në një krim familjeje që tronditi sot Tiranën. Dan Hutra akuzohet se hapi zjarr duke vrarë motrën e ish bashkëjetueses dhe të fejuarën e vëllait të saj, si dhe plagosi vetë të renë që bashkëjetonte, si dhe nënën e saj.

Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 12:30, në rrugën "Rustem Haklaj", në Kodër-Kamzë, noa.al.

Policia tha se shtetasi Dan Hutra, rreth 40 vjeç, ka plagosur me armë zjarri shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri shtetaset, Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).

Autori i dyshuar është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij.

Policia publikoi foton e autorit të dyshuar duke apeluar për çdo informacion për vendndodhjen e tij.

Dan Hutra

Kush është Dan Hutra

Autori i dyshuar është arrestuar për dhunë në familje në datën 16.06.2022, dhe është liruar me datë 16.02.2023.

Më parë, ai ka qenë i dënuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, ngjarje e ndodhur në vitin 2007, në Kukës.