Transmetuar më 01-03-2023, 11:19

Braziliani Gabriel Menino, mesfushori i Palmeiras, është sot temë e bisedës në Portugali, pasi ka siguruar se është përpjekur të ndjekë dietën e yllit portugez Cristiano Ronaldo, por kur ka dalë në fushë ka menduar se do të vdiste.

Në deklaratat për gazetën lokale "Palmeiras Cast" dhe të raportuara gjerësisht nga shtypi portugez, Menino komentoi se donte të provonte dietën e CR7 për të qenë edhe një herë një opsion në gjigantin e São Paulo.

Menino, 22 vjeç, tha se dëshironte të ishte i njëjtë si Cristiano Ronaldo, sepse në sezonin 2020-2021 konsiderohej opsioni i tretë për trajnerin e tij, portugezin Abel Ferreira.

Kështu ai filloi me dietën: një vezë dhe suplemente për mëngjes, sërish suplemente para stërvitjes, pasdite dhe para se të flinte, peshk apo mish i pjekur në skarë dhe sallatë për drekë e darkë.

Të nesërmen u thirr për ndeshjen dhe menjëherë vuri re efektet: "Po bëja nxemjen dhe e vetmja gjë që mendova ishte: Do të vdes. Pesë minuta pas lojës nuk mund të vazhdoja më të vrapoja. Më duhej të zëvendësohesha”.

Fatmirësisht për lojtarin, një nga shokët e tij të skuadrës po trajtohej nga mjekët, kështu që ai përfitoi nga pauza për të pirë një pije izotonike dhe për të aplikuar një xhel. Ai aktualisht është titullar te Palmeiras, klub me të cilin ka fituar dy ‘Copa Libertadores’ dhe një kampionat brazilian, ndër të tjerë trofe.

Cristiano Ronaldo, 38 vjeç, pjesë e Al Nassr në Arabinë Saudite, është aplikues i flaktë i një diete dhe stili jetese të shëndetshme, madje publikisht nuk i ka pëlqyer pijet me sheqer. Gjatë "Euro 2020", ai hoqi një shishe të markës Coca-Cola nga tryeza e konferencës për shtyp dhe tha "ujë". Një gjest që u bë shpejt "viral".